Rruga e Arbrit ose rruga Sali Berisha Nr. 3
Në një shkrim të mëparshëm, “Boshtin e Jugut”; për shkak të iniciativës, rolit dhe kontributit pëcaktues që lideri demokrat ka dhënë në studimin e fizibilitetit, projektimin dhe fillimin e punimeve të ndërtimit të kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore të vendit tonë, e kam përshkruar si rruga “Sali Berisha Nr. 2”. Kuptohet që “Nr. 1” të infrastrukturës tonë rrugore e mban rruga “Durrës-Kukës”, ndërtimi i së cilës pritet të përurohet 3 ditë para fillimit të bumit turistik, 1 korrikut të ardhshëm. Por jo më pak e rëndësishme se këto dy vepra madhore të infrastrukturës sonë rrugore është edhe “Rruga e Arbrit”, që lidh kryeqytetin shqiptar me Dibrën, në një distancë prej afro 75 km, nga rreth 175 km që është sot. Ky segment rrugor e meriton plotësisht të quhet rruga “Sali Berisha Nr.3”, dhe që të tre të konsiderohen si, “ tre arteriet e bashkimit tonë kombëtar”, të cilat kanë në themel iniciativën, vendosmërinë dhe vizionin e liderit demokrat, Prof. Dr. Sali Berishës.
Orhan Sakiqi, një demokrat dhe intelektual i njohur për konseguencën e tij politike dhe profesionale tregon se, ndërtimi i “Rrugës së Arbrit” është një premtim i hershëm i Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Sali Berisha. “Në Qershor e vitit 1997, - thotë ai, -i propozova kryetarit të P.artisë Demokratike, z. Sali Berisha që t’i bënte një vizitë zonës, duke i kujtuar se sipas banorëve të vjetër të saj, nuk mbahet mend që ndonjë drejtues shteti të ketë ardhur në zonë. Ahmet Zogu ka kaluar andej në vitin 1919, por kur ai nuk kishte ndonjë funksion shtetëror. Berisha erdhi dhe në përgjigje të kërkesës së banorëve premtoi rrugën, sigurisht jo në këto përmasa që po zbatohet sot. Për arsye që dihen, për tetë vjet nuk mundi ta mbaj premtimin, i cili po realizohet tani. Sipas të gjithë të dhënave ky premtim do të realizohet brenda mandatit të dytë të PD-së, e mbase më parë. Ky aks rrugor do t’u shtohet ndërtimeve të shumta rrugore, anë e mbarë vendit. Kjo tregon mbajtjen e premtimeve para zgjedhësve në 2005-n dhe të drejtën për të kërkuar një mandat të dytë, për të përfunduar këtë aks tashmë të filluar si dhe shumë të tjerë”.
Siç kemi treguar edhe herë të tjera, iniciativa dhe këmbëngulja e zotit Berisha për ndërtimin e Rrugës “Durrës-Kukës”, “Boshtit të Jugut” dhe “Rrugës së Arbrit”, si hallkë të fundit të tyre para vendimmarrjes përfundimtare kanë patur “matjen me pëllëmbë” dhe rrahjen fort të zemrës si shqiptar i madh, kur ka vizituar nga afër rajonet, në të cilat do të shtrihen transhet e këtyre rrugëve. Shumëkush e ka akuzuar Berishën si krahinarist, por e ka gjithë ditën dhe gjithë natën gabim. Të ishte kështu, “Boshti i Jugut” as që kishte për t’u zënë në gojë prej tij. Por ideja e ndërtimit të këtij segmenti rrugor i ka lindur shumë më herët se sa për segementet e tjera, që shtrihen në veri dhe verilindje të vendit tonë. Sali Berisha ka ëndërruar në çdo kohë për një Shqipëri të standardeve europiane, duke menduar se kjo gjë s’mund të arrihej pa një rrjet rrugor modern, në të katër anët e vendit tonë. Njerëzit që ka qëndruar e punuar afër tij tregojnë se ideja e ndërtimit të “Korridorit Qëndror Jugor” e ka shtyrë Berishën në vitin e dytë të mandatit si president (’94) të fluturojë me helikopter mbi luginën që shtrihet nga Berati drejt Memaliajt, duke sjellë ndërmend atë aks rrugorë për të cilin është më i vendosur se kurrë ta fillojë gjatë këtij viti dhe ta përfundojë brenda 4 viteve të ardhshme. Ky segment rrugor mund të kishte patur të njëtin fat si Rruga “Durrës-Kukës” dhe “Rruga e Arbrit”; pra të fillonte për t’u ndërtuar gjatë mandatit të parë qeverisës, po qe se qeveritarët e majtë s’do të kishin hedhur në “gurin” e segmentit “Levan-Tepelënë” në “pus”, për të cilin u deshën 2-3 vjet për ta nxjerrë.
Duke u rikthyer tek “Rruga e Arbrit”, e cila ka filluar të ndërtohet qysh gjatë mandatit të parë të qeverisë “Berisha”, mund të themi se është një ndër tre shtyllat e infrastrukturës rrugore të standrateve europiane në Shqipëri. Kjo rrugë, po kaq sa ç’ka domethënës emërin, është e dobishme edhe si vepër infrastrukturore, pasi e shkurton distancën e Dibrës me Tiranën me afro 100 km. Ajo fillon me rrugën e “Dibrës”, nga qendra e Tiranës për të vazhduar me rrugën e Tufinës, pastaj në të majtë të lumit të Tiranës në Zall-Dajt, në Qafë-Murrizë, në urën e Vashës, në Plan të Bardhë, në Qafë-Buall të Bulqizës, Ura e Qytetit të Zerqanit, Ura e Cerenecit në Gjoricë si dhe në Dibër të Madhe. “Rruga e Arbrit” është kështu, edhe një alternativë e Korridorit të Tetë, sepse nga Dibra mund të zbresësh në Gostivar dhe pastaj në drejtim të Shkupit, duke shkurtuar më shumë se 90 km nga rruga ekzistuese. Specialistët përkatës tregojnë se, duke u nisur nga qendra e Tiranës deri në urën e Brarit, gjatësia prej 8 km është rrugë ekzistuese. Pastaj, nga Brari tek hyrja e tunelit Murrizë, gjatësia shkon në 17 km. Këtu përfshihen 13 km të rrugës ekzistuese, që shërben për të lidhur sot gjithë fshatrat e Komunës së Bastarit. Pastaj vjen hyrja e tunelit deri tek Ura e Vashës në një gjatësi prej 14 km. Këto dy lote janë në fazë të avancuar të projektimit nga kompani të vendit. Sikurse shihet, këtu përfshihet tuneli rreth 3 km si edhe një urë e 150 m. Segmenti nga Ura e Vashës deri tek dalja Bulqizë shkon në 13 km, dhe është në fazën e tenderimit të punimeve të ndërtimit. Pjesa e fundit dalja e Bulqizës-Ura e Cerenecit prej 17 km është drejt përfundimit të punimeve të ndërtimit. Mbetet 4 km në kufi për të hyrë në Dibër të Madhe, të cilat do të ndërtohen nga pala maqedonase. Pa dyshim rruga do të japë një zhvillim ekonomik të gjithë zonës ku kalon, por vlerat e saj qëndrojnë tek impakti pozitiv që ajo ka në të gjithë ekonominë shqiptare, veçanërisht për zhvillimin e turizmit, tregtisë dhe nxjerrjes së mineraleve, që ndodhen me shumicë në rajonin e Dibrës e të Bulqizës.
“Rruga e Arbrit” është një ëndërr shekullore e shqiptarëve, po aq sa edhe Rruga “Durrës-Kukës”, pasi, veç të tjerash lidhin pjesët e ndara të kombit shqiptar. Ato i shërbejnë zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë edhe duke shfrytëzuar, veç të tjerash, ndjenjën e lartë të patriotizmit dhe atdhedashurisë. “Rruga e Arbrit” ka një kuptim domethënës. Ajo quhet e tillë, sepse kalon në vend banimet e arbanasve (arbërve). Ajo, pak a shumë, do të kalojë në gjurmët e rrugës ku karvanat e matjaneve e dibranëve kanë lëvizur në drejtim të kryeqytetit në vitet e shkuara. Më e dukshme ishte kjo në ndjekjet masive të dibranëve në vitet e parë të shekullit të kaluar kur mijëra prej tyre u shpërngulën me forcë dhe gjetën mbështetje në Tiranë e zona të tjera të dheut amë. Prurjet e saj ekonomike do të derdhen , jo më shumë se pas 4 vitesh në “Boshtin e Jugut” dhe gjithë segmentet e tjera rrugore që afrojnë Shqipërinë me botën e qytetëruar, kun e aspirojmë të integrohemi, ndoshta Brenda mandatit të dytë qeverisës të demokratëve.
...