E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, “Nga 30 maji të aplikojnë vetëm ata pa pasaportë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Berisha takim me Aleat

Kreu i qeverisë shqiptare, Berisha, ka informuar opinionin publik nëpërmjet mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se numri i qytetarëve që mund të jenë ende pa pasaporta apo karta identiteti, sipas kalkulimeve të bëra, nuk mund të jenë më shumë se 60 mijë, maksimumi deri në 100 mijë persona. Duke u ndalur në qëndrimin e opozitës ndaj këtij procesi, Kryeministri tha se opozita ka shqetësimet e veta. “Ne e garantojmë atë për një proces tërësisht transparent dhe opozita është e ftuar të studiojë kapacitetin ekzistues,i cili është i jashtëzakonshëm”, -theksoi Berisha. Kryeministri u shpreh se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti po hyn në fazën përfundimtare. “Ne ramë dakord me kompaninë që, për të përjashtuar çdo lloj problematike, qoftë edhe minimale, me zgjedhësit që janë pa pasaportë dhe që duhet të pajisen me letërnjoftime, kompania merr përsipër të ndërpresë të gjitha veprimet me personat e pajisur me pasaporta. Pra, ajo merr përsipër të ulë vëllimin e punës së saj, pasi 800 punonjësit e angazhuar në të gjitha pikat e aplikimit, janë të përllogaritur për një normë pune 8 orësh të plotë”, - tha Kryeministri. Berisha vlerësoi se kompania e bën këtë me qëllimin më të mirë që asnjë qytetar që dëshiron të aplikojë, të mos mbetet pa aplikuar për shkaqe kohe, apo shkaqe të tjera teknike. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se kompania, po në interes të këtij procesi, merr përsipër që ta ndajë orarin e punës në dy turne, paradite deri në orën 1 dhe pasdite nga ora 5 deri në orën 9 të darkës. Duke u ndalur në numrin e qytetarëve që mund të jenë ende pa pasaporta apo karta identiteti, Kryeministri theksoi se “sipas kalkulimeve të bëra, ata nuk mund të jenë më shumë se 60 mijë, maksimumi deri në 100 mijë persona. Por, tha Kryeministri, kapaciteti i instaluar i kompanisë, për kohën e mbetur deri në zgjedhje, është për rreth 400 mijë aplikime. Në funksion të këtij procesi, Kryeministri i kërkoi ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dhe gjithë prefektëve të vendit që të ushtrojnë format më të rrepta të kontrollit mbi punonjësit e gjendjeve civile, të cilët nuk duhet të pajisin me kartë identiteti asnjë qytetar me pasaportë. Çdo thyerje e këtij vendimi do të përbëjë ndëshkim ligjor, qoftë për punonjësit e gjendjes civile, qoftë për punonjësit e prefekturës, të ngarkuar për kontrollin e tyre. “Toleranca do të jetë zero në këtë drejtim. Kur vetë kompania merr përsipër të zvogëlojë në përmasa të panjohura vëllimin e punës së saj, vetëm në interesin e procesit, atëherë zyrtarët e këtij vendi duhet të përgjigjen me gatishmëri më të plotë”, - tha Kryeministri. Ai siguroi vëmendjen e plotë të qeverisë për mbarëvajtjen e procesit. “Për këtë proces, qeveria ime është e gatshme të bëjë çdo dekretligj që i shërben transparencës së këtij procesi. Prandaj dua t ju kërkoj në mënyrë njerëzore të gjithë punonjësve të gjendjeve civile, që me seriozitetin më absolut dhe në interesin më të mirë të këtij procesi, të mos mundësojnë asnjë kërkesë për letërnjoftim, nga qytetarë që kanë pasaportë, deri në datën 1 korrik dhe të bëjnë çdo përpjekje për të lehtësuar veprimtarinë e qytetarëve që nuk kanë pasaportë”, - vijoi ai. Gjithashtu, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që, në interesin më të mirë të tyre, të aplikojnë për të marrë letërnjoftimet. Ai u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve të marrin letërnjoftimet e prodhuara.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›