E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e Kombit, nis ndërtimi i pjesës së Kosovës

Berisha - Thaçi presin shiritin e autostradës Morinë - Merdarë

Shqiptarët ndoshta janë kombi i vetëm në botë që e përjeton me aq patriotizëm dhe emocion ndërtimin e një rruge. Por pas ndarjes prej një shekulli, dy shtetet shqiptare e shohin këtë rrugë si mënyra e vetme dhe më e mirë për tu ribashkuar. Autostrada që nis nga Durrësi e përfundon në Morinë të Kukësit ka marrë dje një hapje tjetër nga Morina për në Merdarë, duke shënuar nisjen pjesës së rrugës në tokën e Kosovës. Ashtu si në hapjen e tunelit të Kalimashit, ku Kryeministri Berisha zgjodhi të kishte në krah të tij homologun kosovar, edhe Kryeministri Hashim Thaçi kishte ftuar Berishën dje në përurimin e punimeve të nisjes së rrugës Morinë - Merdarë. Festa ka qenë e madhe, njerëz që gëzonin për mundësinë që do të afrojë më shumë shqiptarët në rrugë tokësore. Perifrazimi i Kryeministrit Thaçi ka qenë ndoshta i saktë dhe patriotik njëkohësisht kur ka thënë: Nuk do të kemi më bjeshkë që na ndajnë, por rrugë që na bashkojnë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha, i cili i vuri qëllim vetes që kur erdhi në pushtet realizimin e kësaj rruge deri në Kukës, ishte i emocionuar dje në këtë ceremoni dhe e cilësoi këtë moment si një meritë të lirisë që po gëzojnë shqiptarët. Kreu i qeverisë shqiptare ka gjetur rastin të bëjë një tjetër premtim për një bashkim hekurudhor në të ardhmen mes dy vendeve.

Berisha

Ceremonia u zhvillua në Prizren pak minuta matanë kufirit të Morinës dhe mysafiri nga Tirana është pritur me shumë entuziazëm nga të pranishmit. Fjalimi i Berishës i ka shërbyer simbolikës që ka marrë tashmë kjo rrugë për shqiptarët nga dy anët e kufirit. Qytetarët e Kosovës, qeveria e Kosovës, edhe një herë e në të shumtën herë, i faktuan kombit e Zotit se ata janë të vendosur për çdo vendim, për interesin kombëtar, se ata, sikundër në të shkuarën, për këtë interes nuk njohin çmim, janë të gatshëm të paguajnë çdo gjë. Inaugurimi sot i korridorit të kombit, vetëm pak më shumë se dy vjet Kosovë e pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë, dëshmon forcën magjike të lirisë, vullnetin e hekurt të shqiptarëve për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë, - tha ai në nisje të fjalës së tij. Ndërkaq, Berisha ka vënë theksin në përfitimet ekonomike që sjell ndërtimi i kësaj rruge për Kosovën, duke u shprehur: Korridori i kombit e bën Prishtinën një nga kryeqytetet më të afërta me detin, në rajon. Korridori i kombi i hap Tiranës rrugën më të shkurtër drejt rajonit dhe Evropës Qendrore. Gjithashtu, kreu i qeverisë e ka cilësuar një mundësi për rritjen e bashkëpunimit rajonal, duke shtuar se nga ky korridor do të përfitojnë Serbia, jo më pak se Shqipëria, Maqedonia, jo më pak se Kosova. Duke e cilësuar një moment historik, Berisha ka përfunduar me fjalët: Ne, shqiptarët, kemi pasur fatin, jo të mirë, të humbim shumë kohë, ndaj ne duhet të vrapojmë, të nxitojmë më shumë se çdo komb tjetër, për të kapur kohën e humbur. Vendimi që qeveria dhe autoritetet e Kosovës kanë marrë për ndërtimin e këtij korridori është vendimi i tyre më i rëndësishëm, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Thaçi

Secili nga ne, sot, për një çast, duhet të mendojë se ku ishte Kosova vetëm 11 vite më herët. E pushtuar, duke përjetuar një gjenocid të paparë, me një masë të madhe të njerëzve në deportim, Kosova ishte fushëbetejë për liri. E fituam atë fushëbetejë, e fituam atë betejë të paparë, e fituam lirinë dhe pikërisht, liria që fituam solli përshpejtimin e shumë projekteve në rajon. Pa lirinë e Kosovës nuk do të ndodhte as ky projekt. Kështu e nisi fjalën e tij Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili kishte arsye të ishte i buzëqeshur dje, duke shtypur butonin e nisjes së punimeve të një projekti madhor për këtë vend që para dy vitesh fitoi pavarësinë. Ai e ka cilësuar rrugën e ëndrrave të baballarëve. Sot, kur nisim Rrugën e Kombit, më lejoni të përkujtojmë me respekt ëndrrën dhe sakrificën e stërgjyshërve dhe baballarëve tanë me kufij të ndarë dhe tu themi me zë të lartë dhe shtetëror: Po, sot, në këtë ditë, po e nisim rrugën tonë, rrugën e munguar, Rrugën e Kombit, rrugën e ëndrrave tuaja dhe ëndrrave tona, rrugën e afrimit dhe komunikimit, rrugën e zhvillimit ekonomik dhe emancipimit shumëdimensional të shoqërisë kosovare. Sot, po e fillojmë rrugën që nga Kosova në Shqipëri, Prizreni në Kukës, kishte një distancë njëshekullore. Një shekull vuajtje, një shekull përpjekje, një shekull pritje. Ky është çmimi i kësaj autostrade që po fillojmë sot, - tha ai. Duke pasur parasysh se kjo rrugë është një impenjim i madh investimi për qeverinë, Thaçi ka premtuar se do të ndërtohet me çdo çmim.

Autostrada e re, 700 milionë euro

Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova ishin mbledhur në Prizren, qytetin më të afërt me pikën kufitare në Vërmicë, për të përcjellë ceremoninë festive, të organizuar me rastin e nisjes së punimeve në autostradën Morinë Merdarë, për ndërtimin e së cilës do të jetë përgjegjës konsorciumi amerikano-turk Bechtel & Enka, i njëjti konsorcium që po ndërton pjesën e autostradës në territorin shqiptar.

Ndërtimi i rrugës së ashtuquajtur të integrimit pritet të ndërtohet gjatë tre vjetëve të ardhshëm dhe vlerësohet se do të kushtojë rreth 700 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas autoriteteve në Kosovë, do të punësohen rreth katër mijë punëtorë vendas në ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdarë. Dyzet për qind të punimeve të drejtpërdrejta në trasenë e rrugës thuhet se do ti kryejnë kompanitë vendore.

Sejdiu e Jakupi: Qytetarët e Kosovës do të shijojnë bregdetin shqiptar

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se autostrada do ti përmirësojë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe popujve të të dyja vendeve. Duke e shtrirë autostradën përmes Kosovës, ne do tu japim mundësi qytetarëve të vendit tonë, por edhe të gjitha vendeve të tjera të rajonit, që më lehtë të prekin bregdetin e bukur të Adriatikut dhe të Jonit shqiptar. Anasjelltas, kjo udhë do tua bëjë edhe më të afërt fizikisht qytetarëve të Shqipërisë Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Therandën, Ferizajn, Prishtinën, Podujevën dhe gjithë Kosovën, - tha Presidenti Sejdiu. Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, theksoi se pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, kjo ngjarje është një moment i rëndësishëm historik. Prandaj, 25 prilli i vitit 2010 do të jetë data e shënuar në historinë e Kosovës dhe qeverisë së parë të pavarësisë së saj, - u shpreh kryeparlamentari Krasniqi. Rëndësinë e autostradës për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë e theksoi ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj. Me ndërtimin e kësaj autostrade, Kosova do të bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj; do të na ofrohet dalja në det, nga do të qarkullojnë mallrat dhe njerëzit nga Kosova në Evropë dhe nga Evropa në Kosovë, - tha ministri Limaj.

Dell: Kosova po ushtron pavarësinë e saj

Nisja e punimeve në autostradë nga kompania amerikano-turke u cilësua si një moment i rëndësishëm edhe nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i Turqisë në Kosovë. Ambasadori amerikan, Christopher Dell, tha se zbatimi i projektit për ndërtimin e autostradës shënon një, siç e quajti ai, fazë të re të pjekurisë së shtetit të Kosovës dhe të ushtrimit të pavarësisë së saj. Ndërkaq, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Metin Hysret Ynler, tha se autostrada Morinë - Merdarë do ti mundësojë Kosovës qasje në Detin Adriatik, por edhe në tregjet botërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›