E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e Shqiperise drejt Bashkimit Europian

Në një reportazh për Shqipërinë, gazetari Kristofer Robit e nis rrugëtimin e tij në Durrës, qytetin e dytë më të madh të Shqipërisë ashtu siç shprehet dhe ai. Si një vend ish-komunist, Shqipëria ka qenë një zonë e panjohur  e Europës dhe kjo për faj të izolimit të vendosur nga ana e regjimit totalitar. Në reportazh theksohet se në 10 tetor të këtij viti, ditë kur në Bruksel u paraqit progress raporti për vendet aspirante për anëtarësim në BE, të gjitha televizionet në Shqipëri  kanë transmetuar drejtpërdrejt konferencën për shtyp të komisionerit për zgjerim Stefan Fule. Në fjalën e tij Fule i ka rekomanduar Komisionit Europian që të bëjë Shqipërinë një nga vendet anëtare të BE-së dhe ta zyrtarizojë këtë duke dhënë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor. Në të njëjtën ditë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mori progress raportin nga ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi dhe foli bashke me të në një konferencë të përbashkët për shtyp.
"Ndihem shumë mirënjohës, dhe ju falenderoj shumë është një hap i rëndësishëm në rrugën tonë historike." "Zoti ambasador duhet të theksoj se në 100 vjet përpjekje, nga Shqipëria dhe Shqiptarët, erdhëm në një periudhë të tillë lirie kur shqiptarët nuk kanë asnjë pengesë për bashkëpunim drejt integrimit europian", u shpreh Berisha. Tashmë parlamentit të Shqipërisë i kërkohet të plotësojë edhe disa kritere të tjera për të vazhduar ne rrugen e eurointegrimit. Por për gazetarin Kristofer Robit,  opozita ndan një mendim te ndryshëm për atë nëse Shqipëria është ose jo gati për marrjen e statusit kandidat. 
"Nëse bëjmë një krahasim të vendit që nga koha kur ka marrë pushtetin pozita dhe tani, ne nuk kemi të bëjmë me një proces zgjedhor më të lirë. Nuk kemi një sistem drejtësie më të lirë dhe më të ndershëm. Dhe shteti ynë nuk ngjan me një shtet europian", deklaroi Rama. 
Pyetje: Pse është kaq e rëndësishme për Shqipërinë që të marrë statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Europian?
Berisha: Eshtë vërtet shumë e rëndësishme sepse shqiptarët e dinë që e ardhmja më e mirë është ajo brenda Bashkimit Europian. Më shumë se 84 për qind të qytetarëve mbështesin këtë proces, dhe mendoj se ata janë njerëz të zgjuar. Sepse ata besojnë dhe kanë të drejtë të besojnë. Në këtë proces ata bëhen më të lirë, më të sigurtë, dhe fitojnë më shumë prosperitet. Për këtë arsye qeveria është e detyruar të bëjë më të mirën për të punuar mbi këtë proces. 
Përpjekjet e qeverisë shqiptare për ndryshime e reforma, vlerësohen në reportazh si një domosdoshmëri e rritjes se nivelit ekonomik. Me këtë synim gazetari Kristofer Robit ndalet tek autostrada që tashmë ka marrë emrin Rruga e Kombit. Çdo fundjavë nëpërmjet saj shumë turistë nga Kosova vijnë në Durrës e pjese tëe tjera turistike të Shqipërisë. Infrastruktura bashkëkohorë ka kontribuar në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të dy vendet  tashmë kanë kapërcyer cdo lloj pengese me anë të kësaj rruge lidhëse që kishte nisur të ndërtohej që në vitin 2007 dhe që u përurua dy vjet më vonë nga  liderët e dy vendeve. 
Në reportazh vlerësohet veçanërisht zhvillimi i mediave në 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës, Investimet në këtë sektor por edhe pasioni e puna e gazetareve që me punën e tyre sjellin një imazh real të Shqipërisë. Erisa Zykaj korrespondentja në Bruksel e televizionit shqiptar “ABC News”  dhe e “TV Klan” , që kur u rekomandua dhe dhënia e statusit kandidat, e ka fokusuar punën e saj edhe më shumë në brendësi të Komisionit Europian. 
Zykaj: Ka shumë histori të paqëndrueshme dhe paragjykime për shqiptarët në Europë. Nëse ti nuk i njeh ata mund t'i mendosh si kriminelë apo trafikantë. Kisha shumë vështirësi në vitin 2000, pasi situata ishte shumë e ndryshme atëherë. Por brenda 5 - 6 vjetësh ka pasur vërtet një ndryshim të madh në mënyrën se si shqiptarët shihen.
Në takimin e tij me gazetarin Blendi Fevziu në qytetin e Krujës, Kristofer Robit është interesuar të mësojë  se pse ky qytet është aq i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë. 
Blendi Fevziu: Është e rëndësishme sepse këtu ka lindur heroi ynë kombëtar, Skëndërbeu. Është një vend i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë. Skënderbeu ka lindur këtu, por pas humbjes së babait të tij në betejë me otomanët, ai u rrëmbye nga Sulltani dhe u dërgua në Stamboll. Ne moshën 20 - 25 vjeçare, ai u bë një komandant i rëndësishëm për ushtrinë otomane. Por Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë dhe luftoi për plot 25 vjet kundër otomanëve. Ai ishte i vetmi në atë kohë që po i luftonte otomanet, në një moment kur ata ishin vërtet shumë të fortë, me një ushtri perandorake shumë e fortë. Qytetaria jonë dhe le të themi dhe nacionalizmi ynë kanë filluar me figurën e Skënderbeut, si simbol i kombit. Skënderbeu tani është figura apo njeriu që ribashkoi shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Mal i Zi dhe Shqipëria.
Me pas intervista e gazetari të “France 24” me gazetarin shqiptar Blendi Fevziu vijon me  atë që do të ishte dhe pikënisja e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Europës dhe rrëzimit te regjimit komunist, Lëvizja Studentore e dhjetorit 90. 
Gazetari: Blendi tani jemi në "Sheshin e Demokracisë”, vendi ku në vitin 1990 filloi dhe rënia e komunizmit. 
Blendi Fevziu: Ky është një nga vendet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Sepse këtu në 8 dhjetor ka filluar lëvizja studentore kundër regjimit komunist. Shqipëria ishte një vend unik, pasi në vendet e tjera lëvizjet të tilla janë nisur nga intelektualët, kurse këtu tek në çdo gjë u nis nga studentët. Dhe katër ditë pas Lëvizjes studentore, këtu në këtë vend dhe sidomos në zonat përreth, Ramiz Alia kryetari i partisë komuniste pranoi pluralizmin. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›