E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e drejtë për t‘u kthyer

Bursa u shemb. Tregu i kredive është ngrirë. Papunësia rritet. Shtëpitë përfundojnë te bankat. Konsumi dobësohet. Fabrikat shkurtojnë prodhimin. Një recesion global po afrohet.

Mirëserdhët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i 44-t! Ju jeni i sigurt që e dëshironit këtë punë, apo jo? Kriza që ka nisur ka treguar krahasime të panumërta me Depresionin e Madh dhe padyshim, mediat menjëherë kërkojnë ta përshkruajnë në detaje axhendën e tij për 100 ditët e para, duke pritur përsëritjen e kuadrit legjislativ të Frenklin D. Ruzveltit (FDR) në vitin 1933. Këshilla ime është: Injorojeni! 100 ditët tuaja të para në Uashington do të jenë shpenzuar më mirë në përgatitjen e 1360 ditëve pasardhëse. 100 ditët e para të FDR-së realizuan atë që administrata Bush dhe Kongresi kanë kërkuar ta bëjnë në gjashtëdhjetë ditët e fundit: rivendosjen e besimit në institucionet tona financiare.

Kur Ju të hyni në Shtëpinë e Bardhë, paniku më i keq bankar duhet të ketë kaluar. Nga ana tjetër, është e mundur të jemi në recesion të plotë dhe nxjerrja e vendit jashtë tij, duke hedhur bazat për një shekull të ri rritjeje dhe prosperiteti ekonomik, nuk është një sipërmarrje që mund të bëhet në pak muaj, madje as me një reformë të vetme të rregullave. Riorganizimi i strukturave që qeverisin institucionet financiare do të jetë, sipas të gjitha gjasave, detyra kryesore e Kongresit të ardhshëm, ashtu siç ishte edhe tani. Por është vendimtare që Ju të mos lejoni që Kongresi të ngatërrojë reformën e rregullave me një axhendë ekonomike. Shëndeti dhe forca afatgjatë e ekonomisë së një vendi nuk varet shumë nga forma e rregullave federale, se sa nga kapaciteti i rritjes dhe novacioneve.

Në dhjetë vitet e fundit ka pasur një sfidë të paparë më parë ndaj statusit tonë të superfuqisë ekonomike botërore. Kjo, mbi të gjitha falë Amerikës, kapitalizmi ka triumfuar në botë dhe tani të gjithë duan të na mundin me lojën tonë. Kjo është një garë që duhet të na joshë, me qëllim që ne të vazhdojmë të gëzojmë të gjitha avantazhet: universitetet më të mira, fabrikat dhe trajtimet mjekësore më të avancuara, punonjësit më sipërmarrës dhe cilësinë e një jete më të mirë. Por si një kampion sportiv, i cili i kënaqur në vetvete ka ndërprerë stërvitjen, kështu qeveria federale - e paralizuar nga interesat e veçanta - ka lejuar që Amerika të humbasë shpirtin luftarak dhe forcën. Rikuperimi nuk do të jetë i lehtë, as i padhimbshëm, por alternativa - humbja e terrenit në favor të Kinës, Indisë, Koresë, Japonisë, Bashkimit Evropian - nuk është një opsion.

Kriza e tregjeve financiare ka ngritur problemet tona ekonomike si temë kryesore e fushatës elektorale dhe fitorja Juaj, i dashur President, i atribuohet gjerësisht besimit me të cilin zgjedhësit u janë përgjigjur Juve dhe në kapacitetin Tuaj për të vepruar e siguruar rezultate. Ju e keni bërë fushatën tuaj mbi nevojën e realizimit të ndryshimit dhe për të reformuar pothuajse çdo aspekt të politikës federale, duke përfshirë shëndetësinë dhe sigurinë sociale. Tema themelore, ashtu si shumë të tjera. Por, Ju nuk mund t‘i përballoni të gjitha këto njëkohësisht, duhet të përcaktoni prioritete dhe, në kohën e krizës ekonomike, ekonomia duhet të jetë mbi gjithçka. Ju do të merrni këshilla nga shumë persona të mençur. Si kryetar i bashkisë së qytetit më të madh amerikan, si afarist që ka filluar 25 vjet më parë me tre njerëz në një kafene, si babai i dy vajzave thellësisht të shqetësuara për të ardhmen e vendit të tyre, Ju ofroj disa ide edhe unë.

Infrastruktura

Uragani Katrina ka nxjerrë tragjikisht në pah gjendjen e infrastrukturave tona, por të gjithë kryetarët e bashkive të Amerikës e shikojnë çdo ditë: transporti masiv për t‘u ngritur, ura për t‘u riparuar, aeroporte për t‘u zgjeruar, ujësjellësi e kanalizime për t‘u përmirësuar. Amerikanët e njohin nevojën për investime më të mëdha në infrastrukturë dhe nga eksperienca ime në Nju Jork, ata janë të gatshëm të paguajnë, me kusht të jenë të sigurt se paratë e tyre do të jenë shpenzuar për të përmirësuar komunitetin e tyre dhe jo mundësinë për rizgjedhje të ndonjë ligjvënësi. Në vend që të paguajnë infrastrukturën me rezervat e lëna mënjanë, mund të krijohet një bankë specifike, e cila financon projektet e mbështetura në mënyrë rigoroze mbi meritat, duke investuar më shumë atje ku ka nevojë më të madhe dhe duke përfshirë qytetarët në kontrollin e shpenzimeve dhe kohën e realizimit. Quajeni "Marrëveshja e Re", President: të investosh më shumë, më zgjuar dhe me rezultat. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të ketë punë për amerikanët, por do të jetë edhe infrastruktura që do të shërbejë për të konkurruar në shekullin XXI.

Energjia

Sigurisht, më shumë energji bërthamore dhe puse të reja nafte. Por të dy e dimë se zgjidhja e vërtetë dhe afatgjatë janë burimet e rinovueshme, ashtu siç e kanë kuptuar tashmë qeveritë në Lindjen e Mesme, që megjithëse të pasura me naftë, investojnë në energjinë e gjelbër. Nëse do jemi ne pionierët, do të krijojmë mijëra vende pune të rishpërndara mirë. Nëse do na duhet ta blejmë nga të tjerët, do të vazhdojmë të transferojmë jashtë miliarda dollarë.

Emigracioni

Për të qenë pionierë në teknologjitë e reja, duhet të kemi mendjet më të mira. Për fat të keq, sistemi ynë refuzon shumë emigrantë, ose pasi i ka arsimuar, u jep atyre një shkelm dhe ata marrin dijen dhe e çojnë në vendet më mikpritëse. Kjo është një çmenduri e pastër dhe dëmton kapacitetin tonë për shpikjet. Një ligj i ri për emigracionin është themelor. Mund të marrë formën e një karte identifikimi, që u lejon punëdhënësve të verifikojnë ligjshmërinë e kandidatëve, të rrisin mundësitë për ata që ndjekin ëndrrën amerikane dhe t‘u ofrojnë atyre që janë këtu ilegalisht, mundësinë për të fituar të drejtën e qëndrimit.

Arsimimi

Amerika u bë një superfuqi, sepse kemi pasur gjithmonë dyert e hapura për më të zotët dhe sepse shkollat tona të mëdha kanë prodhuar njerëz të zotë. Por prej dekadash sistemi ynë arsimor është çmendur, ndërsa vendet e tjera kanë shtypur gazin, me rezultatin që tani konkurrojnë me ne për punë që kërkojnë specializim të lartë. Edhe Ju, President, e dini se sa e rëndësishme është për studentët tanë të mësojnë më shumë matematikën, më shumë shkenca, më shumë inxhinieri, më shumë teknologji. Problemi nuk është vetëm se nuk shpenzojmë aq sa duhet, sepse shpenzojmë shumë, por sepse hedhim paratë në një model shkollor të kapërcyer dhe joefikas, i mbajtur më shumë nga fuqia e sindikatave, se sa nga nevoja e studentëve. Në të vërtetë duhen standarde mësimore më të larta, paga më të mira, çmime për merita, raporte mbi rendimentin shkollor, orare më të gjata. Këto reforma kanë qenë themelore për suksesin tonë në Nju Jork. Dhe nëse ka qenë e mundur të zbatohen këtu, ku sindikatat dhe interesat e veçanta kanë mbizotëruar për dekada, mund të jenë të zbatuara shumë mirë në të gjithë vendin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›