E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benzema: Vitin tjetër do të luaj me Barçën ose Realin

Karim Benzema ka vendosur të largohet nga Lioni, kampion i Francës, për të vazhduar aventurën te Barcelona, ose Reali i Madridit në kampionatin spanjoll. Me këtë pohim, sulmuesi zhgënjen Mançester Junajtid, por edhe shumë klube të mëdha evropiane, që kërkonin shërbimet e tij. Barça ka treguar interes të vazhdueshëm për Benzema, ndërsa te Reali sulmuesi përflitej përpara se klubi madrilen t‘i orientonte të gjitha forcat në blerjen e portugezit Kristiano Ronaldo. Gjatë një interviste për televizionin francez, 20-vjeçari deklaroi se është i gatshëm të largohet nga klubi, ku u formua si futbollist dhe nga familja e tij në Lion, për t‘u aktivizuar me katallanët, ose me "merengues". "E ardhmja ime? Vitin e ardhshëm do të luaj me Barcelonën ose me Realin e Madridit", tha ai për "France 2". Sër Aleks Ferguson dhe Junajtid e kërkonin me ngulm lojtarin, por gjatë verës që kaloi në skuadër u afrua bullgari Berbatov. Ndërkohë, Lioni ka bërë të ditur se do të fillojë bisedimet për shitjen e Benzema, vetëm nëse klubet e interesuar do të paraqiteshin me një ofertë prej 100 milionë eurosh. Mes të tjerave, lojtari është përballur me kritikat se nuk është ende gati që të shndërrohet në yllin e "big"-ëve evropianë, megjithatë ai mendon ndryshe. "Disa njerëz kanë thënë se nuk mund të luaj në nivelet më të larta. Kjo është qesharake. Është normale që kam ende shumë për të mësuar dhe po rritem si lojtar. Jam vetëm 20 vjeç dhe gjatë gjithë kohës punoj me synimin të përmirësohem sa më shumë", pohoi sulmuesi. Por, diskutimi kryesor mbetet nëse për Benzema është ende herët të largohet nga Liga 1.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›