E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza për vrasjen e deputetit“zbulon” vetëm misterin

08/05/2009  Grupi i 100 specialistëve ende s’ka të dhëna rreth autorit apo motiveve

TIRANE- Dosja voluminoze, ku po hetohet vrasja e deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi, për ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda vazhdon të mbetet pa ndonjë autor konkret. Dyshimet e shumta si dhe shoqërimet masive të personave të ndryshëm që banojnë në zonën e Roskovecit e të Kurjanit, nuk kanë dhënë asnjë rezultat pozitiv për identifikimin, lokalizimin e më pas arrestimin e personit që mendohet se ka kryer ekzekutimin e deputetit të ndjerë Fatmir Xhindi. Të ndodhur përballë kësaj situate jo të mirë, ditën e djeshme grupi hetimor i drejtuar nga prokurori Olsian Çela ka zhvilluar një analizë, ku për gati 4 orë me radhë specialistët më të suksesshëm të Krimeve të Rënda si dhe të policisë kanë argumentuar provat e administruara në dosje si dhe një sërë deklarime të mara nga personat që kanë dijeni për çështjen. Mësohet se gjatë zhvillimit të analizës, specialistët i kanë bërë një rezyme të plotë veprimtarisë ditore të deputetit Xhindi. Mirëpo momenti ku organi i akuzës “ngre supet”, është periudha kohore kur 49- vjeçari Fatmir Xhindi është shkëputur nga lokali, në të cilin ishte duke pirë kafe me të njohurit e tij. Që nga kjo kohë e deri kur deputeti i PS-së ka shkuar në banesën e tij, nuk dihet asnjë informacion se çfarë mund t’i ketë ndodhur Xhindit. Për specialistët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kjo gjë vazhdon të mbetet mister nëse ish-deputeti Fatmir Xhindi ka takuar njeri apo jo nga momenti i largimit nga lokali dhe kthimit të tij për në shtëpi. Burimet thonë se janë ngritur disa pikëpyetje, nga të cilat mendohet se i ndjeri gjatë udhëtimit për në banesë mund të ketë takuar ndonjë njeri me të cilin mund të këtë pasur konflikt dhe lidhur me këtë shkak autori ka “nxituar” duke i zënë pritë tek pragu i derës, vend në të cilin ka kryer ekzekutimin. Veç të tjerash në analizë është trajtuar edhe pista e privatizimit të disa objekteve nga ana e viktimës. Për të hedhur sa më shumë dritë mbi këtë pistë, organi i akuzës ka kërkuar informacion nga agjencia e privatizimeve. Mësohet se në kërkesë i qartësohet punonjësve të kësaj agjencie, të japin informacion për privatizimet që janë kryer nga viti 2003 e deri në kohët e tanishme. Ndërkaq grupi hetimor ka ndarë edhe detyrat e secilit prej hetuesve që po kryejnë verifikime në shërbim të zbardhjes së ngjarjes së rëndë.

Krerët në analizë

Për katër orë me radhë, në zyrat e kësaj Prokurorie, nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi, Nikolin Bala, drejtor i Krimeve të Hapura si dhe drejtori i policisë së Fierit, Shemsi Premçi kanë folur lidhur me veprimet që duhen kryer. Nën zë flitet për një person të dyshuar si autori i vrasjes, i cili ditën e vrasjes së deputetit nuk ka qenë në banesë pas një kontrolli të ushtruar nga policia. Kreu i policisë së Fierit Shemsi Premçi nuk e ka pranuar si të mirëqenë këtë informacion.

Pistat e hetimit

Probleme personale

Probleme me pronat

Për shkak të detyrës

Sherr i momentit

Dyshimet

1 person i larguar

Provat

Gëzhoja

Pako aspirinë

Qese plastmasi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›