Rruga për në Bërnjakë, pjesërisht e bllokuar nga serbët

Afaristë dhe ndërmarrës nga Rajoni i kolashinit të Ibrit kanë bllokuar sot në mëngjes rrugën magjistrale Zubin Potok-Ribariq, e cila nga jugu i Mitrovicës shpie kah Bërnjaka, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, transmeton koha.
Sipas kësaj agjencie mbi dy traset e kësaj magjistrale janë vendosur më shumë autorimorkio, bagerë dhe automjete të tjera me të cilat është bllokuar qarkullimi, ndërkohë që janë grumbulluar edhe dhjetëra serbë.
Sipas medieve serbe në mëngjesë janë lejuar të qarkullojnë vetëm automobilat e udhëtarëve si dhe automjetet e KFOR-it. Rreth orës 11 është lejuar edhe një kolonë automjetesh të EULEX-it, e ardhur nga drejtimi i Prishtinës dhe e cika ka vazhduar rrugën për në Bërnjakë.
“ Këto automjete janë lejuar të kalojnë, pasi që paraprakisht nga një përfaqësues i EULEX-it protestuesit janë garantuar gojarisht se në automjete nuk ka pjesëtarë të policisë kufitare të Kosovës dhe doganierë kosovarë”, transmeton Tanjug.
Sipas medieve serbe, kjo protestë po bëhet kundër vendosjes së IBM-së në Bërnjakë, ndërsa protestuesit kanë thënë se “nuk do t’i paguajnë tatime shtetit të papranuar të Kosovës”./Indeksonline/