E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Kosova ka shënuar zhvillim të dukshëm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës Festën e Vitit të Ri 2013. Në urim, kryeministri Thaçi ka përmendur të arriturat në sferën politike, ekonomike dhe sociale gjatë vitit që po lëmë pas, duke thënë se ishte ndër vitet më të suksesshme të Kosovës, duke shënuar mbylljen e fazës së Pavarësisë së Mbikëqyrur Ndërkombëtare dhe hyrjen në një fazë te re të perspektivës euroatlantike.

Në mesazhin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar qytetarëve të Kosovës, thuhet se Kosova ka hyrë në vitin e pestë të pavarësisë si shtet i lirë, demokratik, sovran dhe me një shkallë të lartë të përparimit në të gjitha drejtimet, si në planin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar.

“Shteti i Pavarur i Kosovës është afër dhe pranë njohjes së njëqindtë, që rrumbullakon më shumë se gjysmën e shteteve anëtare të OKB-së, dhe është krenar që njihet e përkrahet nga shtetet më të fuqishme të botës në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga shtete të Bashkimit Evropian si dhe shtete tjera të fuqishme në të gjitha kontinentet. Shteti i ri i Kosovës ka demonstruar me korrektësi dhe përgjegjësi të lartë politikë paqësore dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet përreth, duke treguar gatishmërinë e përmirësimit të marrëdhënieve edhe me shtetin e Serbisë fqinje. Në planin ekonomik, Kosova ka shënuar zhvillim dhe përparim të dukshëm, duke përmirësuar mirëqenien e të gjitha kategorive shoqërore, me rritjen e pagave në arsim, shëndetësi, shërbime civile, në rritjen e pagave për pjesëtarët e Shërbimit Policor, të FSK-së, zjarrfikësve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve, pensionistëve”, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi.

Më tej në urim thuhej se Kosova ka përfunduar me sukses një pjesë të segmentit të Autostradës së Kombit me nivel evropian dhe ka përmirësuar infrastrukturën e përgjithshme në çdo cep të Kosovës, duke krijuar kushte për jetë më cilësore për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet që të përmbush të gjitha parakushtet që Kosova të jetë sa më parë pjesë e integrimeve euroatlantike, institucione të cilave ajo ju përket jo vetëm si aspiratë, por edhe si orientim i natyrshëm gjeografik, politik, ekonomik dhe kulturor. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, të gjithë bashkëqytetarëve të Kosovës, bashkatdhetarëve tanë në botën e jashtme, qytetarëve që punojnë në institucionet ndërkombëtare të pranishme në Kosove, u shpreh urimet më të mira për suksese dhe të arritura edhe më të mëdha në Vitin e Ri 2013”, thuhet në urim./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›