E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga që të çon tek varret e të parëve

Segmenti rrugor që lidh Tumën ilire të Kamenicës, rreth 7 kilometra larg qytetit të Korçës, i është nënshtruar ditëve të fundit rikonstruksionit me një fond prej 15 milionë lekësh nga grantet konkurruese, duke bërë të mundur krijimin e kushteve më të përshtatshme të vizitorëve në këtë monument arkeologjik.

Punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge do të përqendrohen në kanalizimin, sistemimin, krijimin e trotuareve, ndriçimin dhe asfaltimin e këtij segmenti të shkurtër rrugor midis Tumës së Kamenicës dhe rrugës kombëtare. "Është dhënë një fond prej 15 milionë lekësh nga grantet konkurruese për të zbatuar këtë projekt", - thotë kryetari i Komunës Mollaj, Fredi Xhemo, i cili është duke kontrolluar ecurinë e punimeve. Sipas tij, fillimisht është çelur fondi prej 3.5 milionë lekësh nga totali prej 15 milionë lekësh për financimin e këtij projekti dhe me këtë fond ka filluar faza e parë e punimeve. Ndonëse është një mot i papërshtatshëm, në ambientet brenda muzeut natyror është si gjithnjë e pranishme një cicerone në pritje të vizitorëve.

Vizioni i arkeologut, Lorenc Bejko, që prej 6 vitesh më parë, kur ishin në përfundim ekspeditat për zbulimin e vlerave të këtij vendvarrimi ilir, ishte që Tuma të kthehej në të parin muze natyror në vendin tonë. Këmbëngulja dhe përkushtimi i arkeologëve nga grupi shqiptar i arkeologjisë së shpëtimit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Korçë ia arriti qëllimit. Prej të paktën 2 vitesh Tuma ilire e Kamenicës funksionon si një muze natyror. Si e tillë, ajo tërheq numrin më të madh të vizitorëve vendas e të huaj ndër qendrat muzeale të rrethit të Korçës krahas Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar. Shqetësimi i administratës së kësaj tume për të ndërhyrë edhe në përmirësimin e afro 300 metrave rrugë, që lidhin muzeun natyror me rrugën kombëtare tashmë është i kaluar. Tuma është e vizitueshme me pagesë dhe tani në stinën e dimrit sezoni i vizitave shtrihet nga muaji tetor deri në muajin prill. Arkeologu Skënder Aliu, një ndër pjesëtarët kryesorë, që kanë punuar për zbulimin e vlerave të këtij vend varrimi ilir dhe pjesëtar i grupit të punës për ta shndërruar atë në muze natyror, thotë se gjatë sezonit të verës Tuma është vizituar nga më shumë se 1200 turistë, kryesisht të huaj. Ai sqaron se Tuma ilire e Kamenicës është një nga monumentet më përfaqësuese të prehistorisë shqiptare dhe më gjerë. Në këtë Tumë janë zbuluar rreth 250 varre, që i përkasin një komuniteti, i cili ka jetuar në periudhën midis shekujve 13-6 p.e.s. Për vizitorët, këtu janë konservuar disa struktura unikale me karakter funeral të prehistorisë së Shqipërisë. Tuma përbëhet nga unaza e varrit qendror, grupi i varreve me strukturë monumentale, si dhe një pjesë ende e pagërmuar. "Muzeu jep një përshkrim të historisë së varrezës dhe rezultateve më të rëndësishme të kërkimeve të kryera këtu", - sqaron arkeologu Skënder Aliu. Në këtë muze natyror të rrethit të Korçës, organizohen ditë të hapura për vizitorët, si dhe aktivitete edukuese me nxënësit nëpërmjet aplikimit të arkeologjisë eksperimentale.

Grupe deri në 30 vizitorë mund të prenotojnë edhe organizimin e leksioneve me tema të veçanta nga arkeologjia shqiptare. Mbi 3 mijë objekte të prehistorisë janë zbuluar në vendvarrimin ilir të Tumës së Kamenicës, por më i rëndësishmi ndër to është zbulimi i një gruaje ilire me skeletin e foshnjës së saj të palindur në bark. Investimi për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, që lidh këtë muze natyror me rrugën nacionale, do t'iu krijojë kushte më të përshtatshme vizitorëve, duke rritur kështu edhe interesin e tyre për të njohur vlerat e prehistorisë shqiptare të zbuluara në këtë Tumë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›