E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugës së Gjibraltarit

Drita jeshile që ia dha UEFA Gjibraltarit i ka shtyrë drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës që t’i intensifikojnë tentimet për t’u bërë pjesë e kësaj organizate. Madje, drejtuesit e futbollit kosovar, krahas angazhimeve të tyre të vazhdueshme që ta bindin UEFA-n dhe FIFA-n që t’i pranojnë kërkesat e tyre, po mendojnë ta ndjekin rrugën e Gjibraltarit, duke e paditur shtëpinë e futbollit evropian në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit.

Ëndrra e Gjibraltarit për t’iu bashkuar UEFA-s dhe kompeticioneve evropiane të futbollit është afër të bëhet realitet, pasi të mërkurën Komiteti Ekzekutiv i shtëpisë së futbollit evropian i dha shenjat e para drejt pranimit të këtij vendi, që popullohet me më pak se 30 mijë njerëz.

Kolonia britanike, që gjendet në afërsi të Spanjës, ka aplikuar të bëhet anëtari i 54-t i UEFA-s, ndërsa për këtë do të vendosë Kongresi i kësaj të fundit në Londër, kur anëtarët e këtij institucioni do të votojnë për të ardhmen e këtij vendi.

Pasi ishte refuzuar kërkesa e tij për pranim në Federatën Evropiane të Futbollit

në vitin 2007, Gjibraltari kishte zgjedhur rrugë të tjera, duke shkuar aq larg sa që e kishte paditur UEFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit (CAS).

Ky i fundit e kishte fuqizuar këtë çështje, duke e udhëzuar UEFA-n ta shqyrtojë kërkesën e Gjibraltarit dhe tashmë drita jeshile për këtë vend veç sa ka filluar të ndizet. Drejtuesit e futbollit kosovar po mendojnë t’i përdorin të gjitha forcat, qoftë edhe atë që ta ndjekin rrugën e Gjibraltarit, vetëm e vetëm që kërkesa e tyre për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës dhe klubeve të saj të mos pengohet.

“Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore, do të mundohemi të bëjmë presion ndaj FIFA-s dhe UEFA-s. Me të vërtetë po na bëhet padrejtësi e madhe, kur kihet parasysh se jemi shtet dhe që na ka njohur gjysma e botës. Nëse është nevoja dhe nëse nuk kemi më rrugëdalje, do ta bëjmë edhe ne padinë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Ai e ka fajësuar direkt presidentin e UEFA-së, Michel Platini, për të cilin thotë se është fajtori kryesor që shtëpia e futbollit evropian e injoron vazhdimisht Kosovën. Ai ka kërkuar mbështetje më të madhe edhe nga institucionet e Kosovës.

“Ne nuk i kemi ende të qarta arsyet e vërteta të injorimit që po na bën Platini. Siç duket, për arsye personale po e dëmton ndihmën që e ka dhënë Franca për Kosovën. Nuk e dimë se përse është aq këmbëngulës dhe pse e shtyp çdo iniciativë që e marrim. Do t’i përdorim të gjitha opsionet, duhet bërë presion edhe shtetit francez nga ambasadori ynë. Edhe Qeveria dhe Ministria duhet të bëjnë më shumë, sepse ne nuk kemi shumë fuqi. Platini është çelësi kryesor”, vazhdoi Salihu i cili tregoi se FFK po përgatit letra përmes të cilave do t’i kërkojë FIFA-s dhe UEFA-s llogari për përgjigjet negative dhe injorimin e vazhdueshëm ndaj futbollit kosovar.

Në vitin 2007, kërkesa e Gjibraltarit ishte refuzuar nga 52 federata, ndërsa vetëm Anglia, Skocia dhe Uellsi votuan në favor të tij. Spanja kërcënonte se do t’i bojkotonte dhe se do të tërhiqej nga çdo kompeticion ku Gjibraltari do të merrte pjesë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›