E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muamba shpëtoi falë Mourinhos

Mesfushori i Boltonit, Fabrice Muamba i shpëtoi sulmit në zemër pas ndërhyrjes së shpejtë të ekipit mjekësor në fushën e stadiumit White Hart Lane të shtunën. Kurse Jose Mourinhos, si menaxher i Chelseas më 2006, kishte kërkuar që ekipet e shpëtimit të jenë të pranishme në ndeshjet e Premierligës. Kërkesa e tij u aprovua pas incidentit të portierit Petr Cech në takimin me Readingun.

Me kalimin e ditëve vazhdojnë të pasqyrohen prapaskena të ngjarjes së rëndë që i ndodhi mesfushorit të Bolton Wanderers, Fabrice Muamba, i cili të shtunën mbrëma pësoi sulm në zemër në ndeshjen kundër Tottenhamit në FA Cup dhe ishte në prag të vdekjes.

Gati një javë pas kësaj kanë filluar të vijnë lajme të mira rreth rikuperimit të Muambas, pas ngjarjes së rëndë në White Hart Lane. Por, nga të gjitha prapaskenat, njëra është vërtetë e veçantë dhe përfshin një trajner të tillë si Jose Mourinhon.

Ditë më parë, menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, u shpreh rreth përforcimit të asistencës mjekësore për futbollistët duke thënë se ata që luajnë në nivel të lartë, kanë nevojë të domosdoshme të gjitha kontrolleve të vazhdueshme, duke bërë të qartë brengën rreth shëndetit të futbollistëve.

Por, i pari që ishte marrë me këtë çështje ishte Jose Mourinho. Si menaxher i Chelseas në vjeshtën e vitit 2006, ai kishte kërkuar përfshirjen e ekipit të shpëtimit në stadium. Dy vite më vonë, Mourinho kishte mbetur i brengosur pas ngjarjes që i ndodhi portierit të Chelseas, Petr Cech, i cili kishte pësuar frakturë të rëndë në kokë pas një përplasjeje me Steven Hunt të Readingut dhe ishte në rrezik për jetë.

Mourinho ishte ankuar se u nevojit gjysmë ore që vetura e ambulancës të mbërrinte për ta marrë Cechun dhe dërguar atë në spital. “Nëse portierin im vdes në zhveshtore, atëherë kjo është diçka për çka Anglia duhet të mendojë mirë”, kishte thënë ai.

Reprezentuesi çek shpëtoi për mrekulli, por nga ai incident e gjithë bota u bind se futbollistët nuk kanë ndihmë të mjaftueshme mjekësore në fushë. Propozimi i Mourinhos u aprovua dhe ekipet emergjente mjekësore tani gjenden në çdo ndeshje të Premierligës.

Vendim ky falë të cilit sot Muamba është gjallë dhe të gjithë mund të flasim për një tregim me përfundim të lumtur, që për një javë e ka mbajtur të brengosur mbarë botën e futbollit dhe më gjerë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›