Rrugët, ja ku duhet ndërhyrë shpejt

Bashkia ka vendosur që brenda një muaji të asfaltojë rrugët pa infrastrukturë. Lista është e gjatë në këtë rast, ka plot 50 rrugë në kryeqytet, por disa nga ato kanë nevoja emergjente.
Kjo është njëra nga rrugët e zonës "Komuna e Parisit". Rrugë e amortizuar pa infrastrukurë, pa sinjalistikë orientuese, të cilat janë kthyer në një shqetësim të vërtetë për banorët.
Ndërsa këto janë pamjet e rrugës "Sadik Petrela" në zonën Varri i Bomit. Kjo është një nga segmentet më të amortizuar të kësaj rruge në këtë lagje të populluar. E asfaltuar dy herë, kjo rrugë sot është e vështirë për kalim.
"Islam Alla" është një tjetër rrugë në Tiranë pranë kishës katolike që kërkon dorën e Bashkisë. Gropa dhe puseta të hapura. Banorët e kësaj zone thonë se kjo rrugë është asfaltuar shumë here, por fati i saj ka mbetur i njëjtë.
Ndërsa këto pamje i përkasin një tjetër rruge me emër në kryeqytet. Rruga e Bogdanëve, e një prej lagjeve me të vjetra të Tiranës. Pavarësisht ndërhyrjeve të mëparshme, sot vështirë të kalohet me të. Ata që i ndeshin më shumë shqetësimet janë drejtuesit e automjeteve dhe kalimtarët, kryesisht mosha e tretë.
Ndërsa në zonën e re të Tiranës, Fresku, vështirë të gjenden rrugë të asfaltuara. Kjo rrugë është një kalimshe dhe tërësisht e amortizuar. Edhe pse ndërtesat shumëkatëshe tashmë janë të banueshme, në rrugë nuk është ndërhyrë për asfaltim.