Rrugëtimi i vështirë i Xhakës

“Isha 16 vjeç kur pata pësuar një lëndim. Kam dashur të heq dorë dhe ta lë futbollin. Ky ishte një moment i rëndësishëm, i cili ma ndryshoi komplet jetën. Pas lëndimit, u riktheva, por nuk mund të bëja asgjë, isha mjaft i dëshpëruar. Pastaj isha në kontakte konstante me njerëzit më të moshuar, të cilët më orientuan dhe më këshilluan t’i kthehem futbollit. Pastaj, me punë të madhe, i kam arritur të gjitha”, deklaroi Xhaka në një intervistë për uebfaqen zvicerane nzz.ch.
Edhe pse është vetëm 19 vjeç, prishtinasi ndihet më i pjekur, sikur të ishte 22-23 vjeç. Derisa në fushë është tërë kohën serioz, në jetën e përditshme tregon se di të jetë edhe njeri zbavitës. Xhaka zbulon se në shkollë nuk ishte sa duhet i përkushtuar dhe serioz, ndërsa ishte edhe i dobët fizikisht, gjë e cila ia vështirësonte punët në futboll.
Por, gjithçka në jetën e tij ndryshoi në Botërorin U-17 në vitin 2009, kur u shpall kampion me Zvicrën. Që atëherë, ai është bërë lojtar i rëndësishëm i vendit helvetik. Xhaka e ka falënderuar familjen për përkrahjen, ndërsa shton se momentalisht ajo është e ndarë, pasi që nëna rri me Taulantin në Zvicër, kurse babai me të në Monchengladbach.