E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontestojnë investimet

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar ministrin e Sportit, i cili nuk e ka përfshirë stadiumin e Prishtinës në mesin e 11 të tjerëve që do të përfitojnë nga ky dikaster. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës po vazhdon të investojë vetëm nëpër komunat që i menaxhon Partia Demokratike e Kosovës. Këto akuza i mohon Ministria e Sportit.

1 milion eurot e ndara nga Ministria e Sportit për përmirësimin e infrastrukturës në 11 stadiume të Kosovës ka shkaktuar shumë polemika. Të gjithë këto polemika kanë lindur nga fakti se prej gjithë atyre parave nuk i është ndarë asnjë cent stadiumit të kryeqytetit.

Pas drejtuesve të kampionit të Kosovës, Prishtinës, të cilat investimet e Ministrisë së Sportit i quajtën investime politike, ka ardhur edhe reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëpërmjet një konference të mbajtur të mërkurën.

Krerë të kësaj partie politike u ankuan në ministrin Krasniqi, të cilin e akuzuan se po bën dallime në mesin e qytetarëve të Kosovës duke investuar vetëm nëpër komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, por jo edhe në ato të LDK-së, siç ndodhi me stadiumin e Prishtinës, që mbeti pa e përfituar asnjë cent.

“Mbi 914 mijë euro kanë shkuar në katër - pesë komuna që i udhëheq PDK-ja. Me këtë nuk po investojnë në sport, por po tentojnë të investojnë në politikë. Të mos investosh asnjë cent në stadiumin e Prishtinës, ose është shumë qesharake t’i jepet stadiumit të Flamurtarit shuma që i është dhënë. Kjo është për t’u qitur pluhur syve qytetarëve, ‘se ja ne i shpërndajmë në komunat e tjera’”, ka thënë pos të tjerash sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri.

Mirëpo, këtyre reagimeve të LDK-së dhe FC Prishtinës u është kundërpërgjigjur menjëherë Ministria e Sportit. Ky institucion i mohon kategorikisht pretendimet e LDK-së e Prishtinës që ato investime po bëhen mbi baza politike.

Madje, zyrtarë të kësaj ministrie thonë se fajet që stadiumi i kryeqytetit mbeti pa përfituar asnjë cent nga ato 1 milion euro, u takon pikërisht atyre që tani po kritikojnë.

“Ato donacione janë ndarë në bazë të kërkesave që kanë ardhur nga stadiumet dhe komunat, por prioritet u kemi dhënë stadiumeve të Superligës. Me këtë rast, ne nuk e kemi marrë asnjë kërkesë nga stadiumi i Prishtinës dhe Komuna e Prishtinës”, deklaroi për Express këshilltari i lartë i ministrit Krasniqi, Shasivar Haxhijaj.

“Kërkesën e fundit për ta ndihmuar infrastrukturën në stadiumin e Prishtinës e kemi marrë para një viti, dhe atëherë në atë stadium kemi investuar 150 mijë euro. Andaj, këtu s’kemi të bëjmë asgjë me politikë. Ne edhe më herët kemi dëshmuar se nuk merremi me politikë, por me sport, dhe janë rezultatet që shihen dhe që e dëshmojnë këtë”, shtoi ai.

Madje, Haxhijaj theksoi se Ministria e Sportit planifikon që në vitin e ardhshëm ta bëjë një investim të madh në stadiumin e kryeqytetit, me qëllim që ai t’i përmbushë të paktën kriteret minimale për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›