Skandali seksual ne gjyq Riberi-Benzema

Janë dy emra të mëdhenj, por mundet edhe të mos i shpëtojnë burgut. Frank Riberi dhe Karim Benzema rrezikojnë jo thjesht për shkak të dobësisë së tyre ndaj njërit prej mëkateve njerëzorë, porse ky mëkat besohet se është kryer në kundërshtim me ligjin.
Lojtarët e Francës akuzohen se kanë kryer marrëdhënie me një prostitutë e cila në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë e mitur, pra nën 18 vjeç, të paktën siç pretendon prokuroria në Paris.
Ylli i Bajernit të Mynihut dhe i Realit të Madridit janë mbrojtur, ndonëse nuk e kanë hedhur poshtë këtë që kanë bërë. Dy lojtarët janë shprehur se nuk e kanë ditur që prostituta e quajtur Dehar ka qenë nën moshë në atë kohë.
Këtë gjë e ka pohuar vetë Dehar, veçse duket se kjo nuk do t’i shpëtojë dy sportistët e shquar, ndër më të njohurit futbollistë të Francës sot për sot.
Riberi, i martuar dhe me 3 fëmijë, ka pasur një reputacion të shkëlqyer si njeri familjar deri para shpërthimit të skandalit në vitin 2010, një skandal që tronditi atmosferën e kombëtares franceze dhe që nisi në vitin 2009, pa pasur fillimisht në shënjestër dy lojtarët.
Riberi dhe Benzema rrezikojnë deri 3 vjet burg ose një gjobë prej 45 mijë eurosh nëse shpallen fajtorë.