Vetëm barazim!

Kombëtarja shqiptare nuk ka arritur dot ta mposht Moldavinë, me të cilën barazoi pa gola, 0:0, në ndeshjen miqësore të zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin ‘Qemal Stafa’ të Tiranës.
Kuqezinjtë patën disa raste të pastra dhe e merituan fitoren, por topi nuk deshi të futej në rrjetë.
Selektori Gianni De Biasi i ka provuar shumicën e futbollistëve që kishte në dispozicion, në miqësoren e fundit para fillimit të kualifikimeve për Botërorin ‘Brazili 2014’.
Edgar Çani ka pasur dy raste të qindpërqindta në pjesën e parë, kurse moldavët rrezikuan me Arthur Papras.
45 minutëshi i parë nuk ishte prej më të mirëve për shqiptarët. Në atë të dytë rrezikuan Erjon Bogdani, Lorik Cana me kokë, Odise Roshi e Mërgim Mavraj, por sërish porta e kundërshtarit mbeti e paprekur. Në anën tjetër, të vetmin rast mysafirët e patën me sulmuesin Anatoli Doros.
Marrë në përgjithësi, Shqipëria e meritonte së paku një gol, kurse moldavët ishin të parrezikshëm dhe ishin të kënaqur me rezultatin që e nxorën.
Kjo ishte ndeshja e fundit miqësore e Shqipërisë, para fillimit të kualifikimeve për Botërorin ‘Brazili 2014’, që nisin muajin e ardhshëm.
Kuqezinjtë, që kualifikimin do ta kërkojnë në Grupin E, ndeshjen e parë do ta zhvillojnë në Shqipëri më 7 shtator ndaj Qipros, kurse vetëm katër ditë më vonë, ekipi i Gianni De Biasit do të jetë mysafir i Zvicrës së Valon Behramit, Xherdan Shaqirit, Blerim Xhemajlit, Granit Xhakës e Admir Mehmedit.