Rrumbullaku: Garantojmë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Policia e shtetit garanton qytetarët se do të jetë e angazhuar për mbarëvajtjen e procesit të votimit të zgjedhjeve lokale në 8 maj.
Në një konferencë për shtyp zv.drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku theksoi se policia e shtetit do të jetë në shërbim të qytetarëve duke garantuar lirinë dhe të drejtat e tyre për të votuar në 8 maj.
Sipas tij policia ka marrë të gjtiha masat për ruajtjen e qëndrave të votimit dhe qëndrave të numërimit të votave duke bërë të mundur që procesi zgjedhor të përfundojë me sukses.
“Standartet e policisë së shtetit janë vlerësuar edhe nga organizmat ndërkombëtar dhe nuk do të cënohen nga asnjë moment” theksoi Rrumbullaku duke shtuar se 7 mijë punonjës policie janë të angazhuar me detyra zgjedhore për të bërë të mundur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Më tej Rrumbullaku theksoi se se punonjësit e policisë nuk do të lejojnë në qendrat e numërimit të votave asnjë person pavarësisht statusit të tyre ndërsa ka shtuar se nuk do të lejohet asnjë person që të cënojë rendin gjatë zhvillimit të procesit të votimit.
Duke bërë një rezume të incidenteve të ndodhura gjatë fushatës elektorale, Rrumbullaku theksoi se në lidhje me incidentet janë arrestuar 11 persona dhe 28 të tjerë po heton në gjendje të lirë.