E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Një media e falimentuar është më mirë se një media nën kontrollin e shtetit"

Në një intervistë me revistën "Der Spiegel", Matias Dëpfner, shefi ekzekutiv i kompanisë "Axel Springer", grupi më i madh mediatik në Evropë, diskuton krizën e shtypit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse qeveritë duhet të ndihmojnë mediat në vështirësi prej krizës, si dhe të ardhmen e gazetarisë në internet.

Zoti Dëpfner, e përditshmja "Bild", flamuri i grupit tuaj, e përkufizon veten gazetë me përhapje masive, por shitjet vazhdojnë të tkurren. Në SHBA, shumë gazeta po bien kokëposhtë dhe po kërkojnë ndihma nga investitorë të huaj. Mund të ndodhë kjo edhe në Gjermani?

Kurrë nuk duhet thënë kurrë. Por ekzistojnë disa dallime thelbësore. Gazetat gjermane janë në gjendje shumë më të shëndetshme. Shumë prej tyre vazhdojnë ende me bilanc pozitiv. Në fakt, ankesat vijnë më shumë prej pozicionit në treg. Ata që janë zënë në qerthullin e nevojës për të nxjerrë fitime dhe uljes së cilësisë, nuk duhet të çuditen kur gjërat nisin t‘u shkojnë keq. Për më tepër, disa gazetarë nervozë ndikojnë edhe më keq në këtë kuadër.

Ku e keni fjalën?

Më çudit pa masë masokizmi që përdorin disa gazetarë kur e konsiderojnë industrinë e tyre specie në zhdukje. E ardhmja i përket gazetarisë së qytetarëve dhe blogjeve, thonë. E saktë, këto janë asete fantastike, por nuk kanë të bëjnë fare me gazetarinë. Dikush ngatërrohet në këtë pikë. Gazetat dhe revistat mbeten media më e fuqishme - si për lexuesit edhe për industrinë e publicitetit.

Në Francë, Presidenti Sarkozi, së shpejti do subvencionojë abonimet nëpër gazeta. Në Gjermani po flitet për ndihmë qeveritare ndaj kompanive mediatike të prekura nga kriza.

Shpresoj që kjo të mos ndodhë kurrë. Megjithatë, nuk e përjashtoj dot mundësitë që ndonjë kompani në vështirësi të trokasë në dyert e qeverisë. Kjo do të ishte një ditë e errët për lirinë e shtypit në vendin tonë, ashtu si edhe shkelja e një tabuje.

Po sikur kjo të jetë rrugëzgjidhja e vetme për të ruajtur shumëllojshmërinë e gazetave?

Ndarja e qeverisë nga shtypi është baza e demokracisë sonë. Po përdor një paralelizëm ndoshta të ekzagjeruar, por për mua një media e falimentuar është më mirë se një media e themeluar dhe e kontrolluar nga qeveria.

Si mbështetës i tregut të lirë, sigurisht që do donit të shihnit më pak kufizime publicitare dhe ligje më elastike antitrusti.

Pikërisht. Sipas anekdotës më të fundit, zyrtarët në Bruksel po mendojnë të ndalojnë reklamat e kompanive që prodhojnë e tregtojnë veshje të brendshme, pasi e konsiderojnë këtë diskriminuese. Ku duan të arrijnë kështu? Ne duam heqjen e çdo lloj pengese për publicitetin në media. Produktet legale duhen reklamuar lirshëm. Kemi nevojë për modernizimin e ligjit antitrust dhe modifikimin e ligjit mbi autorësinë.

Por t‘i kthehemi internetit. Keni përsëritur disa herë se grupi juaj brenda dhjetë vjetësh, gjysmat e të ardhurave do t‘i sigurojë nga interneti.

Saktë. Qëllimi im është ta kthej "Axel Springer" në kompani multimediale. Në sitin "bild.de" kemi kaluar tash 1 miliard klikimet në muaj. Shumë prej aktiviteteve tona në internet janë që tani me fitime.

Megjithatë, nuk po fitoni aq sa në të shkuarën. Nga biznesi në internet vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 fituat 800 mijë euro.

Kjo vjen kryesisht pasi po i riinvestojmë vazhdimisht të ardhurat prej internetit. Dhe diçka e tillë i ka dhënë rezultatet, shitjet janë rritur me 130 për qind.

Dixhitalizimi po bën përpara me ritme shumë të shpejta dhe mund ta shkatërrojë "Axel Springer" përpara se biznesi i ri i internetit të nisë të japë fitimet e duhura.

Po, në rast se nuk i përqasemi progresit në mënyrën e duhur. Por ecja drejt dixhitalizimit mund të thotë edhe që pas dhjetë vjetësh të jemi në gjendje shumë më të mirë nga sot. Personalisht, nuk jam ndier kurrë aq mirë sa sot.

E keni seriozisht?

Gjithsesi, kur u bëra shef ekzekutiv i kompanisë flluska e internetit sapo kishte plasur dhe kjo na jepte mundësinë të shpenzonim në mënyrën e duhur. Por kompania qe e zhytur në telashe në atë kohë dhe bankat nuk na jepnin as edhe një cent hua. Tani ka plasur edhe një flluskë tjetër, por kësaj here jemi në pozicionin e duhur për të vepruar. Kjo na jep mundësinë të përfitojmë nga rënia e vlerave të kompanive.

Por në vend që të blini, ju keni shitur asete me vlerë më shumë se 300 milionë euro nga aksionet që zotëronit në disa gazeta të përditshme.

Kur nuk bëhesh dot aksionari dominues në një kompani është më mirë të heqësh dorë nga buqetat minore të aksioneve. Në raste të tilla parapëlqejmë të zëvendësojmë menjëherë bizneset në gazetat me pak fitime me biznese të reja e fitimprurëse në internet.

Të kthehemi pak te profesioni i gazetarit. Kur Sharlot Roshe (autore e bestsellerit "Wetlands") humbi gjysmën e familjes për shkak të një aksidenti automobilistik, u ndje e persekutuar nga reporterët e "Bild". Në një pikë Roshe ju takoi personalisht dhe ju tha sy për sy që "jeni njeri i keq". Si e perceptoni këtë?

Si liri shprehjeje. Kam menduar gjatë për atë episod.

Dhe cili është përfundimi?

Kemi menduar mbi shumë gjëra gjatë 27 viteve punë si gazetar. E nisa profesionin si kritik muzike në një gazetë lokale. Ke në dorë të shtysh përpara apo të dëmtosh karrierën e një pianisti me një artikull të shkurtër. Për mënyrën si e mendoj unë, kjo ide mund të aplikohet edhe me qëndrimin ndaj një tragjedie familjare. Por gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë dëshmitar edhe i veprimeve tepër hipokrite. Nuk do ta besoni sa të shumtë janë ata njerëz që i shtyjnë qëllimisht historitë personale drejt faqeve të gazetave në kërkim të ndonjë shkeljeje të mundshme nga ana e gazetarëve, në mënyrë që më pas të hedhin këto gazeta në gjyq për të nxjerrë fitime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›