E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubio: Fitoret in-extremis, s’janë gjithnjë rastësi

SHKRUAN: Jeton Selimi 02-11-2011 13:54

Trajneri i Tiranës, spanjolli Rubio Sançez, është i kënaqur me ecurinë e skuadrës që drejton dhe se shpreson që së shpejti të nisë edhe shkëputjen, ndonëse garën e parashikon të fortë

Pas ndeshjes së zhvilluar në Fier ndaj Apolonisë, ku Tirana arriti të bëjë një tjetër nga ato “me zemër në dorë”, trajneri spanjoll i kryeqytetasve, Hulian Rubio Sançez po shijon vendin e parë, ndonëse do t’i duhet ta ndajë me Teutën, të paktën edhe për një javë. Megjithatë, pas largimeve të shumta kur duheshin pak orë nga starti i kampionatit, numri i skeptikëve rreth kësaj Tirane u rrit. Arsyet ishin nga më të ndryshme. Skuadra nuk kishte një formacion titullar bazë. Presidenca ishte e luhatur për shkak të kthimit në sh.a të klubit dhe e ardhmja dukej e errët. Por, nëse mes kësaj pasigurie numri i skeptikëve rritej, spanjolli ishte i vetmi që vijonte punën e tij. Dhe tani ka shumë arsye që të kërkojë maksimumin. “E dinim që na priste një ndeshje e vështirë në Fier, megjithatë, pas atyre 90 minutave të kaluara atje, mund të them se tre pikët na kanë shijuar. Fitorja të jep gjithnjë ngrohtësi dhe kjo ishte pikërisht ajo që na duhej.” Më pas, trajneri spanjoll fokusohet dhe në mënyrën sesi Tirana e tij po arrin të fitojë ndeshjet. Ajo që ka rënë më shumë në sy, kanë qenë triumfet me rezultat të ngushtë, të ardhur gjithnjë pas përmbysjes së disavantazhit dhe me gola të shënuar brenda 5 minutave të fundit të takimit. Rubio nuk mendon se tanimë mund të cilësohet thjesht rastësi. Për të, skuadra është në gjendje që ta përballojë presionin ashtu siç duhet dhe të marrë maksimumin nga fusha e lojës. “Fitoret in-extremis” janë vërtet të bukura. Por ajo që mund t’ju them është se nuk bëhet më fjalë për një rastësi. Nëse fitohen 4-5 ndeshje me përmbysje dhe me gola në çastet e fundit të ndeshjes, atëherë nuk ka më vend për rastësi. Gjithçka shpjegohet me dëshirën dhe shpirtin e skuadrës që është në gjendje që të marrë maksimumin nga 90 minutat në fushën e lojës.” Në fund, trajneri flet edhe për ndeshjen e radhës, atë kundër kampionëve në fuqi të Skënderbeut, të cilët e pret shumë të luftuar nga të dyja ekipet. “Natyrisht që ka për të qenë një nga ato ndeshjet e luftuara për 90 minuta. Si Skënderbeu ashtu edhe Tirana kanë dëshirën për të marrë tre pikët. Ne luajmë në fushën tonë dhe do të kërkojmë që të kënaqim tifozët me një tjetër triumf.”

Tirana-Skëndërbeut luhet të dielën

Kryendeshja e javës së tetë, mes Tiranës dhe Skënderbeut do të zhvillohet ditën e djelë në orën 17:00. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” i cili pritet të jetë i mbushur më shumë se zakonisht,, duke llogaritur rivalitetin e krijuar mes dy skuadrave në sezonin e kaluar që më pas kulmoi në ndeshjen e Superkupës zhvilluar në muajin gusht në Korçë dhe fituar nga bardheblutë.

Superliga

Java VIII

Kastrioti – Tomori

Tirana – Skenderbeu

Flamurtari – Apolonia

Vllaznia – Bylis

Kamza – Shkumbini

Teuta – Dinamo

Pogradeci – Laçi

Renditja

Skuadra N F B H P

1. Tirana 7 5 1 1 16

2. Teuta 7 5 1 1 16

3. Flamurtari 7 5 0 2 15

4. Kastrioti 7 4 0 3 12

5. Laçi 7 3 3 1 12

6. Skënderbeu 7 2 4 1 10

7. Kamza 7 3 1 3 10

8. Vllaznia 7 3 1 3 10

9. Shkumbini 7 2 3 2 9

10. Bylis 7 2 1 4 7

11. Apolonia 7 2 1 4 7

12. Pogradeci 7 2 1 4 7

13. Tomori 7 1 1 5 4

14. Dinamo 7 0 2 5 -1

Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›