E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Canaj: Trajnerët gjithmonë janë trajtuar si kokë turku

/* */

Dash FRASHËRI -  Agim Canaj (49 vjeç), një nga trajnerët e njohur shqiptarë, e sheh sërish me shqetësim faktin e shkarkimit të homologëve të tij. “Kanë kaluar vetëm shtatë javëve dhe janë ndryshuar tre trajnerë. Ky është një sinjal jo i mirë. Profesioni i trajnerit është shumë i bukur, por që në Shqipëri bëhet shumë i vështirë”, tha Canaj gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”. Gjithsesi, ish-trajneri i Dinamos, Flamurtarit dhe shtatë skuadrave të tjera, thekson se  e sheh me pozitivitet kampionatin, të paktën për atë që ka prodhuar deri tani. “Po kristalizohen, një bllok skuadrash që synojnë vendet e para, ashtu si një i dytë që do të luftojë deri në fund për mbijetësë”.

Agim Canaj, Kategoria Superiore mbylli javën e 7-të, ose gati një të katërtën e kampionatit. Si do ta vlerësonit këtë fundjavë, me atë që prodhuan rezultatet teknike?
E shikoj me pozitivitet kampionatin, duke pasur jo vëtëm atë që prodhoi java e 7-të, por të gjitha ndeshjet në tërësi. Vlerësoj se ka një luftë sportive dhe këtë e tregon dhe ngjeshja e ekipeve në renditje. Po kristalizohen dy blloqe skuadrash, një që synon vendet e para, ashtu si një i dytë që do të luftojë deri në fund për mbijetësë. Gjykoj se, është shpejtë të deklarosh se kjo skuadër do të fitojë titullin, por ajo që ka rëndësi të theksoj është grinta dhe lufta midis skuadrave të vendeve të para, si në qendrueshmëri dhe rezultate. Kjo është mjaft e qartë te dy skuadrat kryesuese, Tirana dhe Teuta.

Çfarë kanë të veçantë këto dy skuadra, në raport me kampionin dhe nënkampionin e sezonit të kaluar, Skënderbeun dhe Flamurtarin?
Çdo skuadër i përshtatet modulit të lojës dhe lojtarëve që ka në dispozicion. Tirana ka prioritet lojën sulmuese dhe është deri tani ekipi që ka shënuar më shumë (15 gola), ashtu sikundër Teuta rezulton me mbrojtjen më të mirë (3 gola të pësuar). Një tjetër veçori spikatëse e Tiranës është dhe kthimi i rezultatit. Tirana ka mundur ta realizojë këtë në katër ndeshje, kujtoj ato me Kastriotin (2-1), Vllazninë (2-2), Bylisin (3-2) dhe Apoloninë (2-1). Shpeshherë hyn dhe fati në mes, pasi Tirana tre nga pesë ndeshjet e fituara i ka marrë në minutat e fundit, apo në kohën shtesë.

Edhe pse ndoshta pa drejtë Teuta nuk konsiderohej favorite, ajo ka bindur në shtatë javët e para, madje në javën e 7-të fitoi 2-0 në transfertë me Tomorin. Cili është gjykimi juaj?
Teuta di të punojë mirë si skuadër. Me pak gola (7) ka marrë pikët maksimale. Nuk ka fituar me përmbysje, por ka shënuar gjithmonë e para. Nuk e dimë sesi do të sillet ajo nëse do të pësojë gol e para.

Flamurtari është duke ushtruar presion të fuqishëm ndaj kryesuesve. A e ka rigjetur ritmin e munguar në javët e para?
Është një skuadër në rritje dhe këtë e tregoi në fitoren bindëse kundër Bylisit në Ballsh. Në shtëpi, vlonjatët nuk humbasin prej dy vjetësh dhe kjo sigurisht është një tregues i fuqisë së tyre. Ka një kontigjent të shkëlqyer lojtarësh. Rrallë mund t’i bashkosh në një skuadër. Besoj se ka pasur probleme menaxhimi. Në Ballsh pamë një Flamurtar agresiv, duke pasur përballë një skuadër si Bylisi, që këtë vit ka treguar një nivel të mirë loje, por mesa duket në këto javët e fundit është duke kaluar një ngërç psikologjik, duke pësuar katër humbje rresht.
Ky kampionat me rezultatet që ka ofruar në këto javë, mund të konsiderohet edhe si sezoni i ekipeve udhëtuese. Në javën e 7-të kemi katër fitore dhe një barazim të skuadrave mike. A është kjo një shenjë e qartë e rivalitetit?
Ky edicion është me 14 skuadra dhe tashmë kemi një tablo të qartë të dy blloqeve. Janë pikërisht, skuadrat e kreut ato që kanë marrë dhe rezultatet pozitive në transfertë. Në krahasim me katër sezonet e fundit, kur luhej me katër apo tri faza, tani kemi një kammpionat me dy faza dhe me më pak ndeshje (26). Nuk të lejohet të gabosh dhe nuk mund të fitosh lehtë. Kur ka rivalitet lufta bëhet më e ashpër, në të dy ekstremet e tabelës.

Canaj, kur janë luajtur vetëm shtatë javë kampionat, tre trajnerë kanë dorëzuar detyrën, Duro i Skënderbeut, Daiu i Tomorit dhe së fundi, Josa i Vllaznisë. Përse shkarkohen kaq shpejt?
Në kampionatin shqiptar,problematika është shumë e gjerë. Mbase, shkarkimi i trajnerit është dhe problemi më i lehtë për presidentët, për t’i bërë gjithmonë ‘kokë turku’ trajnerët. Nuk shikohet puna në vazhdimësi. Disa skuadra janë grumbulluar në ditët e fundit, kam këtu parasysh Tomorin dhe Dinamon. Dy skuadra pa fushë stërvitje, dhe të mendosh që janë ekipe të Superligës. Një trajner mund të punojë te këto skuadra, edhe për hir të një aspekti ekonomik, por ky profesion i kërkon kushtet minimale, si dhe ka nevojë për vëmendjen e të gjithëve. Trajneri nuk ka “shkop magjik” për të zgjidhur problemet. Te Apolonia ka pasur probleme me përjashtimet e disa lojtarëve, akuza dhe kundërakuza. Profesioni i trajnerit është shumë i bukur, por që në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Unë kam një eksperiencë të gjatë, madje jam shkarkuar edhe kur kam qenë në vendet e para (me Dinamon dhe Vllazninë). Shpeshherë trajneri shkarkohet edhe nga një thashethem tavoline, apo fenomene që nuk kanë lidhje me futbollin.

Cili është?
Agim Canaj, sot 49 vjeç, ka drejtuar 9 skuadra: Dinamon (3 herë), Shkumbinin (2), Lushnjën, Besën, Skënderbeun, Flamurtarin, Vllazninë, Gramozin dhe së fundi Bylisin. Si trajner ka fituar Kupën e Shqipërisë, me Dinamon në vitin 2003, duke mundur në finale Teutën (1-0).

Rreziku për trukimet ekziston

Kastrioti-Vllaznia, ndeshja e vlefshme për javën e 2-të të Kategorisë Superiore, është zyrtarisht në qendër të hetimeve të UEFA-s, për shkak se dyshohet se rezultati është i trukuar. “Personalisht, - tha Canaj, - unë nuk mund të gjykoj apo të dal në atë konkluzion. Ne po flasim për një vend pa rregulla, si Shqipëria, por ne kemi dëgjuar se një numër i madh ndeshjesh janë në dyshim në Itali, Spanjë, Gjermani, Turqi, Kroaci, apo diku tjetër. Kur këto ndodhin në kampionate që janë në një filtër të jashtëzakonshëm kontrolli, atëherë rreziku ekziston. Jemi një vend i hapur, dhe fenomenet negative, natyrshëm që do të përpiqen të zënë vend dhe këtu. Unë mendoj se Federata Shqiptare e Futbollit është duke organizuar një kampionat në parametra bashkëkohorë, pavarësisht mungesave. Gjithsesi, ka dhe ndeshje ku ka pasur tolerime për shkak të ndonjë aleance”.

Kushtet e Dinamos, si në vitin 1945

Agim Canaj ka shpenzuar gati dhjetë vjet të karrierës së tij futbollistike si lojtar me Dinamon: 1982-1991, teksa është shpallur dy herë kampion 1985-1986 (trajner Fatmir Frashëri) dhe 1989-1990 (trajner Bejkush Birçe). Ka fituar Supekupën në vitin 1990 dhe dy Kupa të Shqipërisë (1989, 1990). Dinamo e sotme është në një krizë të thellë: -1 pikë pas shtatë ndeshjes, 0 fitore dhe vetëm 1 gol të shënuar. “Ruaj një respekt të veçantë për një figurë të madhe, si trajneri Faruk Sejdini. Kam punuar me të dhe ia njoh përkushtimin, edhe në kushte shumë të këqia, ashtu si dhe në të mira. Dinamo ka pasur një nga komplekset më të mira në Shqipëri, por tani ajo nuk e zotëron më. Dinamo e sotme ka shumë mangësi në organizim, financa dhe pa kushte stërvitje. Të mos kesh një dush është shumë e turpshme. Këtë situatë që po përjeton Dinamo, nuk e ka pasur asnjë klub pas Çlirmit”.

Problemi i Dinamos

“Me atë që po ndodh me Dinamon, - theksoi Canaj, - kam frikë se do të ndodhë si me Partizanin dhe më ndërtimet e pallateve në kompleksin stërvitor të tij. Nuk mund të shkatërrosh klube që kanë bërë historinë në futbollin shqiptar. Partizani ka fituar 32 trofe, ndërsa Dinamo 33 të tillë. Askush nuk do të guxonte në Itali të shkatërronte Juventusin, Milanin apo Interin; të sillej kështu me Realin e Madridit dhe Barcelonën në Spanjë. Do shumë vite të ngresh një traditë në futboll. Kam luajtur në Rumani (1991-1994) dhe atje e njëjta situatë ka qenë në vitet e komunizmit, por me ndryshimin e sistemit klubet u privatizuan dhe tani dihet cilësia e futbollit rumun. Kjo duhet të ndodhë edhe në vendin tonë”.

Kombëtarja shqiptare

Shqipëria e futbollit është në kërkim të një trajneri të ri. Canaj, një ish-lojtar i Shpresës së famshme, që u rendit midis tetë më të mirave të Europës në vitin 1983, si dhe një ish-futbollist i Kombëtares në vitin 1991, pohoi se, Kombëtarja fare mirë mund të drejtohet nga trajnerë vendas. “Nuk mund ta mohoj kurrsesi punën që kanë bërë të huajt, nga Dosena, Brigeli, Bariçi, Hani dhe Kuzheja, - theksoi Canaj, - por ne kemi aq kapacitete trajnerësh, të cilët kanë drejtuar në Shqipëri apo jashtë saj, si Hasi apo Kola, që të marrin drejtimin e Përfaqësueses. Jam për ta mbështetur këtë iniciativë, e cila mund të rezultojë shumë efikase. Këtë po e tregojnë edhe rezultatet e Kombëtareve të moshave’.
 

114
gola të realizuar
në 49 ndeshjet e deritanishme, 74 gola nga ekipet vendase dhe 40 nga ato udhëtuese. Java 1: 21; java 2: 14; java 3: 24; java 4: 19; java 5: 9; java 6: 12 dhe java 7: 15. Mesatarja është 2.33 gola për ndeshje.

222
kartonë të verdhë
janë dhënë gjatë 49 ndeshjeve të zhvilluara në shtatë javët e zhvilluara deri tani. Java 1: 30; java 2: 27; java 3: 32; java 4: 27; java 5: 36; java 6: 33 dhe java 7: 37. Mesatarja është 4.5 kartonë për ndeshje.

16
penallti të dhëna
nga gjyqtarët gjatë 49 që kanë gjykuar ata në harkun e shtatë javëve të para. Java 1: 2; java 2: 1; java 3: 4; java 4: 4; java 5: 2; java 6: 4 dhe java 7: 1. Mesatarja është 0.32 penallti për ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›