Agjenti i Tevez në Milano, hidhen piketat e para të transferimit
Karlos Tevez është gjithnjë e më pranë Milanit. Mediat italiane raportojnë se menaxheri i sulmuesit argjentinas, Kia Jorabçian, ishte dje në Milano, ku u takua në zyrat e klubit me administratorin e deleguar të kuqezinjve, Adriano Galiani. Në takimin që zgjati rreth dy orë, mendohet se është diskutuar për transferimin në “San Siro” të Tevezit, i cili, pas krisjes me Mançester Sitin, prej disa javësh ndodhet në Argjentinë. Mësohet se Milani është i interesuar ta marrë lojtarin në formë huazimi me të drejtë blerjeje përfundimtare për tre sezonet e ardhshme (2012-2015). Bazuar në raportimet e shtypit sportiv në Itali, Siti kërkon 5 milionë euro për huazimin deri në qershorin e ardhshëm dhe 20 të tjera për blerjen e krejt kartonit të 27-vjeçarit. Por problemi i vërtetë mendohet të jetë rroga e sulmuesit, 8 milionë euro në sezon, e cilësuar si shumë e kripur nga Milani. Gjithsesi, kampionët e Italisë shpresojnë në arritjen e një marrëveshjeje dhe janë gati të hartojnë një program të veçantë për ta risjellë Tevezin në formë me rifillimin e kampionatit në janar. Duke qenë se është aktivizuar me Mançester Sitin, “Apashi” nuk mund të jetë nën urdhrat e Alegrit në Ligën e Kampionëve, por do të ishte zëvendësuesi ideal i Kasanos në ndeshjet e kampionatit. Por nëse vjen Tevez, atëherë dikush duhet të sakrifikohet. Presidenti i Santosit, Luis Alvaro de Oliveira Ribeiro ka zbuluar planet ambicioze të klubit për festimin e përvjetorit të 100-të të klubit brazilian, duke përgatitur kështu ofertën për një huazim njëvjeçar të Robinjos. “Unë kërkoj një huazim njëvjeçar të Robinjos, ku pas kësaj periudhe ai do të kthehej përsëri te Milani dhe kuqezinjtë nuk do të humbisnin asgjë nga zgjatja e kontratës së tij. Është e vështirë, por jo e pamundur. Ne jemi të fokusuar tani në botërorin e klubeve, por më pas do të tentojmë që ta realizojmë planin tonë”, ka thënë Ribeiro