E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Berisha gjyqe deputetëve opozitarë

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cilësoi proceset gjyqësore si një farsë dhe të montuara qëllimisht. Deklaratat e tij u bënë pas mbledhjes së grupit parlamentar, mbledhje e cila u zhvillua me dyer të mbyllura.

“Jam këtu para jush, për të shprehur një shqetësim të Grupit Parlamentar Socialist për një çështje që kohët e fundit po kthehet në një problem tepër serioz dhe tepër të rrezikshëm jo vetëm për cënimin e shtetit ligjor dhe demokracisë, por dhe për vetë sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e gjykatave shqiptare. E kam fjalën për gjyqet politike ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, të akuzuar nga familjarë të kryeministrit, nga ministra të kësaj qeverie dhe nga deputetë të kësaj mazhorance. Nesër është seanca e parafundit e gjyqit ndaj nënkryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Saimir Tahiri i akuzuar nga familjarë të kryeministrit. Një proces gjyqësor tërësisht i njëanshëm, tërësisht i deformuar që në themel, dhe i paracaktuar në vendimin e tij për të dënuar me çdo kusht nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri. Në proces gjyqësor janë dhe shumë deputetë të tjerë dhe e gjithë Kryesia e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste”, deklaroi Ruçi.

Janë plot 10 deputetë të opozitës, ndaj të cilëve janë ngritur padi gjyqësore, ku deputeti Sajmir Tahiri, po zhvillon aktualisht një proces gjyqësor me dy fëmijët e kryeministrit Berisha. “Këto procese gjyqësore po kthehen në simbolin e nënshtrimit të gjykatave ndaj pushtetit politik, në simbol të uzurpimit të drejtësisë nga ekzekutivi, në simbolin e çmontimit të sistemit të drejtësisë që qëndron në themel të shteti ligjor. Këto gjyqe po kthehen në kamxhik politik të qeverisë ndaj deputetëve të opozitës, me synimin për t’i mbyllur gojën kujtdo që tregon me gisht vjedhjen, të kujtdo që tregon me gisht korrupsionin, të kujtdo që tregon me gisht keqpërdorimin e pushtetit, e bashkë me to përgjegjësit që kanë qeveritarët, deputetët e mazhorancës dhe familjarët e tyre. Por këto procese gjyqësore po nxjerrin në dritë, deformimin e tmerrshëm të sistemit gjyqësor për çdo qytetar të ndershëm që përplaset përditë në dyert e gjykatave. Sot në gjykatë fiton i forti, jo e drejta. Fiton ai që ka pushtet, jo ai që ka të drejtë. Fiton ai që ka para, jo ai që kërkon drejtësi”,u shpreh Ruçi. /Start/

                                                                                             2012-06-19 13:14
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›