E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Ktheni votën e fshehtë; Topalli: Presidentin e zgjedhim ne

Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi kthimin e votës së fshehtë në Kuvend përpara se vijë momenti i zgjedhjes së Presidentit.

Sipas Ruçit, mazhoranca e ka shndërruar Parlamentin në shërbim të partisë. “Kuvendi për tre vjet ka marrë vlerësim negative nga raporti i progresit te BE. Në Kuvend të enjten e shkuar u dha prova e rrënimit të parimit demokratik që është ai i votimit të fshehtë, ia mohuat çdo deputeti të majtë e të djathtë. Rregullorja e Kuvendit ashtu si ajo e Republikës i njeh të dyja vendimet. Ju bëtë edhe më keq se kaq kërkuat të kontrollonit votën e çdo deputeti, turp për Saliun, për Jozefinën, nuk keni besim as tek deputetet tuaj, as tek aleatët tuaj, kjo është liria mes jush”, tha Ruci.

Ai shtoi se mazhoranca po refuzon me këmbëngulje, duke ecur përpara në zgjedhjen e Presidentit partiak. “Votimi i së enjtes ishte prova që ju do të shkelni sërish Kushtetutën e vendit. Ne nuk do t’iu lejojmë. Votat e fshehtë do të rikthehet në Kuvend me çdo çmim dhe nuk do të ketë zgjedhje, dhe as zgjedhje të Presidentit. Sot në Kuvend nuk votohet më fshehtas, duke rrëzuar parimin themelor të demokracisë. Sot në Kuvend nuk votohen më fshehtat anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, garant të rendit kushtetues. Sot nuk votohet më fshehtat as emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Votohet hapur me votën e partisë dhe për partinë. Ne do të jemi këtu për ta ndalur si alternativë përball jush dhe për qytetarët”, vijoi. 

Kreu i grupit socialist thotë se rregullat demokratike duhen ribërë tanimë. “Rregulli numër një është vendimi i fshehtë, prandaj reforma e rregullave ka rëndësi. Ajo është e domosdoshme përpara zgjedhjes së Presidentit, për të shmangur shtetin privat të kryeministrit, formën më barbare të të cilit e provuam më 21 janar. Keni kërcënuar deputetë dhe një grup të tërë siç ndodhi në seancën e kaluar”, tha ai.

Patozi: Kërkoni votëbesim për qeverinë

Pas kësaj reagoi edhe kryetari i grupit demokrat, Astrit Patozi, i cili thekson se opozita ka frikë nga votat. “Në rrafshin politik, Partia Socialiste regjistroi edhe një humbje më shumë në këtë Parlament, në rrafshin etik, PS-ja regjistroi një tjetër etapë të shëmtuar, ku tentoi të bllokonte me dhunë votimin për anëtarin e KLD-së. Për të rrëzuar një qeveri ka nevojë për këllçe, të cilat opozita nuk i ka. Së dyti, opozita duhet të dijë se jo gjithmonë mund ta rrëzojë qeverinë. Ka votime të posaçme. Unë e ftoj opozitën që të bëjë votëbesim ndaj qeverisë. Mazhoranca nuk është prani fizike, por vullnet i çdo deputeti ndaj qeverisë. Mazhorancat mund të testohen, ndaj kërkoni votëbesim”, nënvizoi ai.

Patozi shtoi se në seancën e shkuar është respektuar strikt rregullorja e Kuvendit. “Ne çaktivizuar përpjekjen tuaj të dhunshme. Fobia që ju keni ndaj firmave, votës së fshehtë dhe ndaj komisionerëve tuaj, që e keni dëshmuar më se dy vjet. Është fyese për çdo deputet, që procedurat parlamentare të trajtohen si salla kumari. Këto provalon marrëveshja, dhe nuk janë hilet. Në këtë Parlament, janë miratuar tre presidentë, dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë. I kam thënë z. Ruçi që ne nuk jemi duke zgjedhur Papën e Romës, por një anëtar të KLD-së ndaj nuk kishte nevojë për kaq zhurmë. Z. Ruçi, nga ajo që kuptova prej fjalës tënde, thoni se edhe aktet normative të bëhen me votim të fshehtë. Pse keni frikë nga kutitë dhe votat e fshehta. Unë ftoj deputetët e opozitës që të mos përsërisin shfaqje të shëmtuara si në seancën e shkuar. Unë do t’i uroja që të ruajnë forcat e pakta që ju kanë mbetur për në qershorin e vitit të ardhshëm ku do të ballafaqohemi”, vijoi ai.

Topalli: Presidentin e zgjedhim ne

Më pas, në foltoren e Kuvendit, doli vetë kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, i cili theksoi se mazhoranca do të zgjedhë e vetme Presidentin e ri. “Sa herë z.Rama iu fut në beteja të fëlliqura. Herën e fundit ishte vetëm humbja e fundit e juaj. Humbja më e rëndë e Partisë Socialiste dhe veçanërisht e z. Rama ishte në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar, ku humbën minus mbi 100 mijë vota ose 18 deputetë më pak. Humbja më e madhe ka qenë ajo e z. Rama në Tiranë, ku u numëruan të gjitha votat. Për sa kohë që z. Ruçi, shqetësohen për votat e deputetit. Z. Ruçi mos qani dhe nëse jeni burra bëni votëbesim, ose silleni z.Rama që ta votojmë këtu në Parlament dhe më të gjitha format e votimit do të dalë i humbur”, theksoi. Topalli shtoi se kur opozita humb, nuk pranon votat ose i vjedh ato. “Ne nuk iu lejojmë të zgjidhni Presidentin, siç keni humbur vitin e fundit.

Kryetari juaj lufton Parlamentin dhe nuk pranon as ligj, as rregullore dhe as Kushtetutë. Ne do ta zgjedhim Presidentin dhe ju përsëri do të qani e do t’iu thotë kryetari se ju rrahu Jozefina”, tha kryeparlamentarja. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-04-19 11:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›