E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Në muajin maj Plani Rregullues i Tiranës

Deklaratat e kryebashkiakut, u bënë në Konferencën e parë Ndërkombëtare “Mbi Urbanistikën dhe Arkitekturën”, organizuar nga Universiteti “Epoka”.

Basha theksoi se metodologjia që u zgjodh ishte ajo e përfshirjes së të gjithë aktorëve të shoqërisë, botës akademike, profesionistëve, grupeve të interesit, natyrisht edhe të vetë qytetarëve, në një proces racional, bazuar në të dhënat aktuale dhe në progresionet shkencore, mbi çfarë presim të shohim në 30 vitet e ardhshme.

“Ne presim që në dy javët e para të majit, të shpalosim draftin e detajuar të Planit Rregullator të Tiranës para Grupit Strategjik, për një vendimmarrje të parë, që do t’i hapë rrugën një procesi konsultimi me publikun në muajin maj, qershor e korrik dhe një vendimmarrje përfundimtare të strukturave vendimarëse, që është Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, jo më vonë se shtatori i këtij viti, por ndërsa ky proces ka ecur me një shpejtësi të madhe, i afrohet fundit, një proces tjetër do të nisë së shpejti, ai i hartimit të planeve të detajuara, për pjesë të veçanta të qytetit.  Kjo ka qenë një punë voluminoze, me sfida të parashikueshme dhe të paparashikueshme, por falë dedikimit e përkushtimit të grupit të punës, mbështetjes së plotë qytetare, mund të them me krenari dhe jo pa njëfarë surprize, se premtimi ynë fillestar, për t’i dhënë qytetit planin që mungonte për 20 vjet, brenda një viti, është shumë afër realizimit”, tha Basha.

Ai nënvizoi se ka ardhur koha që energjia e ekspertëve të urbanistikës  dhe arkitekturës, të kanalizohet ashtu siç duhet, “që një model i ri qytetërimi t’i ofrohet qytetit të Tiranës, ku ndërthuret më e mira e traditës tonë me më të arrirën e modernes dhe bashkëkohores”. 

Kryebashkiaku u shpreh se një provë e madhe për këtë ishte Konkursi Ndërkombëtar për Bulevardin e Ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, një projekt që prek një të pestën, pra 20 % të territorit të Tiranës dhe po kështu edhe territore nga komunat përreth.

“Shtatë ndër 20 studiot më të mira të botës morën pjesë në këtë konkurs, duke ilustruar kështu jo vetëm rëndësinë që ka një projekt i këtyre përmasave, ndoshta i fundit për nga shanset në një qytet të këtyre përmasave në Europë, por edhe besimit që sektori i profesionistëve në rrafshin global ka tek energjia pozitive e qytetit të Tiranës. Ne përzgjodhëm dy finalistë dhe në bashkërendim me procesin e miratimit nga grupi strategjik, të draftit të parë të Planit Rregullator, ne presim të përzgjedhim edhe fituesin e këtij konkursi, dhe t’i japim komisionit për hartimin e planit të detajuar të këtyre dy veprave të jashtëzakonshme për nga rëndësia dhe përmasat për qytetin e Tiranës, atë që është Bulevardi i ri i Tiranës dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës prej 7 kilometrash, por edhe hartimin e planeve pjesore për afro 14 kilometra katrorë, në anët e këtyre dy veprave publike. Shanset dhe mundësitë për të marrë pjesë në procesin e detajuar të blloqeve që përbëjnë këtë pjesë të madhe të qytetit tonë janë të hapura për të gjithë, për ju në këtë sallë, për shumë të tjerë që nuk janë në këtë sallë, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj”, vijoi. 

Basha shprehu bindjen se kjo konferencë do i ndihmojë përpjekjes së parë dhe të suksesshme të Tiranës, për të lënë prapa kaosin e tranzicionit dhe për të disiplinuar nëpërmjet një modeli të ri, qytetërimin, të gjitha sfidat dhe problemet dhe për t’u dhënë atyre një jetë të denjë, jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme por edhe për brezat e ardhshëm. /Start/

                                                                                             2012-04-19 14:28
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›