Ruçi: Dënimi i Ballës? I turpshëm
Gramoz Ruçi reagoi dje fuqimisht ndaj vendimit të Byrosë së Kuvendit për dënimin e dy deputetëve socialistë. Kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se Sali Berisha dhe Kryetarja e Parlamentit shqiptar u dhanë shqiptarëve dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë provën më të qartë se në ç’derexhe është katandisur parlamentarizmi në Shqipëri. “Duke marrë kështu një vendim krejtësisht të pajustifikueshëm për të përjashtuar deputetin e PS-së, Taulant Balla, sepse na preku në sedër Kryeministrin kavalier e ministrat e tij dhe po kështu po dje paralajmëruan për përjashtim kolegun tjetër të PS-së, Saimir Tahiri, në mënyrën më të pajustifikueshme”, u shpreh Ruçi. Në vlerësimin e tij, ngjarja në sallën e Kuvendit ishte prova më e fundit që vërteton dhe njëherë katërcipërisht se Sali Berisha Parlamentin nuk e sheh si një institucion ku diskutohen e zgjidhen hallet e shqiptarëve, por si një pronë të tijën, ku opozita duhet dhunuar nëse ajo guxon të denoncojë të vërtetat e hidhura e të shëmtuara të këtij pushteti. “Sepse ky përjashtim e ky vendim për përjashtim s’janë as më shumë e as më pak, veçse një përpjekje e dështuar për t’u mbyllur gojën deputetëve të Partisë Socialiste”, këmbënguli Ruçi. Sali Berisha, vijoi ai, na tregoi qartë se ai nuk e do opozitën në Parlament, se ai nuk është i interesuar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. “Nëse ka një politikan në Shqipëri, që duhej përjashtuar jo për dy javë, por për një legjislaturë të tërë, ky është vetëm një deputet, që e ka emrin Sali Berisha. E si ka mundësi që një deputet na u përjashtoka për dy javë sepse Kryeministrit nuk i vikan për mbarë fjalët e tij, ndërkohë që vetë Sali Berisha mund të vjellë vrer, të shpifë e të shajë, të merret me fëmijët apo me familjen, apo me jetën private të kujtdo deputeti e kundërshtari politik?!”, theksoi Ruçi. Ai ju referua fjalimit të mbajtur nga shefi i qeverisë më 26 nëntor, ku sipas tij, “kavalieri shqiptar kërcënonte për shkulje dhëmbësh e nofullash, etiketonte përfaqësuesit e opozitës me fjalë që nuk mund të thuhen në publik, por Kryetarja e Parlamentit, dhe jo vetëm ajo, por të gjithë deputetët e kësaj mazhorance, zgërdhiheshin dhe duartrokisnin kavalierin e tyre”.
#