Publikohet libri themeltar i infermierëve
Publikohet udhëzuesi për punën e infermierëve në të gjithë vendin. Ky libër do të jetë “bibla” e të gjithë atyre që punojnë aktualisht si ndihmës mjekë në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Dje Urdhri i Infermierit ka publikuar zyrtarisht guidën e cila do ti jepet për ta lexuar infermierëve duke i informuar ata përsa i takon punëve, detyrave, angazhimeve, të drejtat dhe përgjegjësitë, sipas parashikimeve në legjislacion.
Bëhet fjalë për botimin e dokumentit themeltar të infermierëve, i cili përmban të përfshira brenda tij, Ligjin e Urdhrit të Infermierit; Statutin e Urdhrit të Infermierit, Kodin Etik-Deontologjik si dhe dokumente të tjera të nevojshme për punën e përditshme të infermierëve. I konceptuar në formën e një libri xhepi, ai përfshin të konkretizuara sanksionet që i presin infermierët nëse nuk e zbatojnë siç duhet punën e tyre, raportet me institucionet shëndetësore, deri ku arrin liria dhe detyrimet e një infermieri, pikat e rregullores së punës së tyre të përditshme. Në lidhje me publikimin e këtij botimi, Presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi bën me dijeni se ai ka funksion informues, por edhe ndërgjegjësues në të njëjtën kohë për gati 13 mijë infermierë të cilët punojnë në rang vendi, të cilët njihen në një libër xhepi të vetëm, me të gjitha pikat e kuadrit ligjor të cilit i përket profesioni i tyre.
Për të qenë të sensibilizuar në këtë mënyrë jo vetëm me detyrimet, por edhe me të drejtat që përfshin në vetvete, ushtrimi i profesionit të infermierit. “Njohja dhe zbatimi me korrektësi i këtyre dokumenteve nga të gjithë profesionistët e kujdesit infermieror, do të sjellë përmirësimin e sjelljeve etiko-profesionale me pacientët dhe do të çojë në rritjen e standardeve të tyre”, sqaroi kreu i urdhrit të infermierit, Skënderi. Sipas tij, ky dokument do të bëhet pjesë e rregulloreve të brendshme të të gjitha institucioneve shëndetësore, publike dhe private, por duhet të bëhet në të njëjtën kohë edhe pjesë e programeve formuese për të gjitha këto profesione në fakultetet e infermierisë në vend.