Ruçi: Ligjet, në këmbim të paktit Patozi: Pakti, pseudokauza e kutisë
Patozi: “...Partia Socialiste do të fitojë ca anëtarë bordi në Bankën e Shqipërisë, ndoshta edhe vetë Guvernatorin, gjysmën e Avokatit të Popullit, treçerekun e Kryetarit të Kontrollit të Shtetit, dhe vitin tjetër, duke parë e duke bërë, ndoshta edhe ndonjë copë të mirë nga Presidenti i Republikës...”
TIRANË Partia Socialiste është gati të negociojë për 10 pikat e propozuara nga kryetari i opozitës, Edi Rama, por në të njëjtën kohë nuk do të ndërmarrë asnjë hap drejt miratimit të ligjeve me 3/5-at në rast se këto propozime nuk do të merren parasysh nga mazhoranca. Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, ka deklaruar dje gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend se miratimi i këtij pakti (i depozituar zyrtarisht dje në Kuvend) është hapi i parë për ta kthyer krizën politike në një shans për integrimin e Shqipërisë. “Ne jemi të hapur që mazhoranca, qeveria të shtojë edhe pika të tjera nëse dëshiron këtë pakt... Nëse do vërtet votat tona në Kuvend për një Shqipëri europiane që fillon nga fryma europiane... ne jemi gati ta nënshkruajmë këtë pakt që nesër, t’i qëndrojmë këtij pakti në çdo germë, ta kthejmë krizën e thellë politike në një shans për Shqipërinë e për çdo qytetar shqiptar, duke marrë publikisht pjesën tonë të përgjegjësisë për refuzimin e statusit të vendit kandidat vitin e shkuar dhe duke bërë gjithçka kemi në dorë që refuzimi të mos përsëritet”, - tha dje Ruçi në Kuvend. Kryetari i grupit parlamentar i PS-së kërkoi që ky pakt të miratohet përmes një seance të posaçme parlamentare. “Për të nxjerrë vendin nga kriza, grupi parlamentar i PS-së i kërkon të gjithë grupeve parlamentare të diskutojmë dhe të miratojmë të gjithë së bashku këtë pakt përmes një vullneti të përbashkët politik dhe institucional të shprehur në një seancë të posaçme parlamentare”,- tha Ruçi. Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. “Për ta thënë me dy fjalë (dhe jo me dhjetë pika), kjo paketë apo i ashtuquajturi pakt i Edi Ramës, është si pseudokauza e kutisë, që u përdor pa mëshirë dy vjet, për të mos ardhur në Parlament, pastaj për të ardhur dhe për të mos votuar, dhe jo rastësisht javën që shkoi grupi parlamentar u kthye te marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin. Jo vetëm që nuk votoi ligjet me tre të pestat, por u tërhoq edhe nga votimi i ligjeve të thjeshta”,- tha ai. Duke iu referuar përmbajtjes së 10 pikave të Ramës, kryetari i deputetëve demokratë sqaroi se Parlamenti nuk mund të shqyrtojë apo shkruajë letra të hapura, pasi ky institucion prodhon vetëm ligje dhe vendime. “Kuvendi i Shqipërisë nuk ka ndonjë arsye që të mbajë frymën e të ndalë funksionimin e tij normal për shkak të një letre, që shkruhet dhe lexohet jashtë mureve të tij, pavarësisht kush është autori i saj, por është i detyruar të shqyrtojë çdo nismë ligjore, që ndjek me përpikëri rregullat e tij. E vetmja gjë që ka bërë opozita deri tani është depozitimi i një pakte ndryshimesh në rregullore, dhe e vetmja gjë që ka bërë Kuvendi është futja në procedurë e tyre”, - tha ai. Patozi theksoi se BE-ja ka lënë ca detyra shtëpie, dhe ato janë konkrete. “Edi Rama gati sa nuk thotë se në këmbim të votës së vet për ligjet me tre të pestat (të premten u duk se kishte hequr dorë nga shprehja “rroma për toma”), Partia Socialiste do të fitojë ca anëtarë bordi në Bankën e Shqipërisë, ndoshta edhe vetë Guvernatorin, gjysmën e Avokatit të Popullit, treçerekun e Kryetarit të Kontrollit të Shtetit, dhe vitin tjetër, duke parë e duke bërë, ndoshta edhe ndonjë copë të mirë nga Presidenti i Republikës”, - shtoi ai. Për këtë arsye, Patozi ka theksuar se mazhoranca është pro reformës zgjedhore, ligjit dhe Kushtetutës dhe jo letrave ndaj institucioneve e legalizimit të Wikiliks-it.