Kalon akti për zhvendosjen e varrezave të makinave
Kuvendi ka miratuar pas më shumë se tre orë debat aktin normativ për zhvendosjen e varrezave të makinave nga rrugët nacionale. Ashtu si edhe në komisione mazhoranca dhe opozita janë përplasur fort me argumente pro dhe kundër këtij akti, ndërsa nuk kanë munguar akuzat se një nismë e tillë ligjore bëhej për të favorizuar biznesin e skrapit. Ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës kanë këmbëngulur se nisma në fjalë ishte e domosdoshme për shkak të emergjencës që ngjall për mjedisin. Opozita ka hedhur hije dyshimi qoftë përsa i përket llojit të aktit ashtu edhe qëllimit të tij. Deputetët opozitarë kanë ngritur shqetësimin pse një nismë e tillë vjen në formën e një akti normativ, ndërkohë që fare mirë mund të vinte në formën e një ligji. Deputeti socialist Armand Subashi u shpreh se akti bie ndesh me Kushtetutën si dhe me konfiskimin e këtyre mjeteve nga ministria, siç është parashikuar në akt, cenohet e drejta pronësisë. “Nuk mund të konfiskohet pa iu nënshtruar një procesi gjyqësor”.- tha Subashi. Ndërkohë që deputeti tjetër socialist ka ngritur hije dyshimi se ky akt ka për qëllim që të eliminojë bizneset e vogla të varrezave të makinave për ta përqendruar një aktivitet të tillë në pak duar. Për këtë ai ka hedhur hije dyshimi se në afërsi të Tiranës po funksionon një impiant për shkrirjen e skrapit. Por ndaj këtyre qëndrimeve ka reaguar zv.ministri i Mjedisit dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, të cilët kanë hedhur poshtë si të pavërteta të gjitha këto akuza, ndërsa janë shprehur se me këtë qëndrim opozita është kundër spastrimit të rrugëve nga një pamje dhe mjedis të rënduar që sjellin këto varreza. Akti normativ presupozon të shoqërohet edhe me procesin e licencimit. Po flasim për 290 biznese të paligjshme, të cilat në bazë të aktit jo vetëm do të largohen nga rruga për të mos qenë me burim aksidentesh, por do të detyrohen të licencohen dhe do të detyrohen të marrin lejen mjedisore", Olldashi.