E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Mazhoranca prej muajsh po mban peng mandatin e opozitës

30/03/2012  Të hënën Këshilli i Mandateve bën zëvendësimin e Seserit

Topalli: Seseri vinte vetëm për të votuar, me qëllim që të mos humbiste mandatin

Këshilli i Mandateve do të mblidhet mesditën e së hënës për të shqyrtuar zëvendësimin e ish-deputetes socialiste Rudina Seseri. Edhe pse kanë kaluar afro 3 muaj nga vendimi i KQZ-së që ngarkon Kuvendin për të bërë zëvendësimin e saj, kjo ende s’ka ndodhur. Socialistët pretendojnë se neglizhenca e Kuvendit, ka sjellë anomali në funksionimin e opozitës parlamentare. Partisë Socialiste i mungon një votë që nga koha kur Rudina Seseri dha dorëheqjen nga jeta politike.

Seanca plenare

Pikërisht për këtë çështje kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kërkoi dje sqarime nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëkohësisht dhe kryetare e Këshillit të Mandateve, në lidhje me mandatin e deputetit të ri të opozitës. Gjatë fjalës së tij në seancën e djeshme plenare Ruçi u shpreh se është e papranueshme që mazhoranca të mbajë peng një mandat të PS-së prej 4 muajsh. “Ju si drejtuese e Kuvendit bëni mirë të interesoheni se po mbani peng një mandat të opozitës prej 4 muajsh pa asnjë arsye, në kundërshtim me Rregulloren dhe Kushtetutën”, - u shpreh Ruçi. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli e cilësoi rastin “Seseri” si një rast unikal të parlamentarizmit shqiptar për shkak të mungesave të shumta në seancat plenare. Sipas Topallit, Seseri paraqitej në Kuvend vetëm për të votuar, me qëllim që të mos humbiste mandatin. “Nuk kam pse bëj koment për tërheqjen e Seserit nga Kuvendi. Ky është rasti më unik kur një deputet 2 vjet rresht nuk vjen fare në parlament, vjen për të votuar vetëm 1 herë në fund të 6-mujorit kur i rrezikohet mandati”, - u shpreh Topalli. Pas këtyre replikave Topalli u kërkoi kryetarëve të grupeve të caktonin orarin e mbledhjes së Këshillit të Rregullores, pasi deputetët janë të impenjuar me diskutime të rëndësishme në komisione. “Më caktoni orën për të hënën për mbledhjen e Këshillit të Rregullores, pasi deputetët kanë një punë shumë të madhe, kanë ligjin për Gjykatën Administrative. Dua që deputetët të jenë të çliruar nga puna për Gjykatën Administrative”, - deklaroi Topalli. Në përfundim të këtij diskutimi u caktua që mbledhja e Këshillit të Rregullores të zhvillohet ditën e hënë në orën 12:00.

Ndërkohë me konsensus të plotë mes palëve, me 107 vota pro, Kuvendi miratoi dje disa ndryshime në ligjin “Për shërbimin e përmbarimit privat”, që përmirësojnë ecurinë e reformës për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave. Deputeti i PS-së Sajmir Tahiri akuzoi qeverinë për mosekzekutimin e 16 mijë vendimeve gjyqësore të mbetura pezull prej vitesh.

Vendimi i KQZ: Bardhi me dy mandate

Kuvendi reagon pas 3 muajsh

Prej tre muajsh Gjon Bardhi vijon të ushtrojë detyrën e tij të dyfishtë: edhe kryebashkiak i Fushë-Krujës, edhe atë të deputetit të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në mbledhjen e 13 janarit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e mandatoi kryebashkiakun e Fushë-Krujës si deputetin më të ri të Partisë Socialiste. Megjithëse ky subjekt dhe vetë kandidati Gjon Hill Bardhi refuzuan marrjen e mandatit, KQZ-ja ia dha atë me 7 vota, duke i hapur rrugë Kuvendit për të shqyrtuar çështjen në fjalë. Sipas nenit 69 të Kushtetutës, nuk mund të kandidojë dhe as të marrë mandatin pa dhënë dorëheqjen një kryebashkiak apo kryetar komune. Pikërisht për faktin se Bardhi deklaroi se nuk do të hiqte dorë nga posti i kryetarit të bashkisë së Fushë-Krujës, deputeti i PS-së për Durrësin në vend të Seserit, sipas listës së PS-së, i takon të jetë Edison Konomi.

Ruçi

“Po mbani peng vendin vakant të një deputeti të opozitës për 4 muaj me radhë, pa asnjë arsye në kundërshtim të plotë me kushtetutën dhe tani vini e lexonin nenet për të interpretuar se kur është për projektligj dhe kur është për emërim, rastet janë të njësojtë. Grupet të kenë kohën që të diskutojnë për të mbajtur një qëndrim dhe këtë veprim”- tha Ruçi.

Topalli

Kryeparlamentarja tha se s’ka ndodhur që një deputet të mos vijë në seancë për dy vjet rresht."E kam thirrur këshillin, e unë deputetët me forcë nuk i marr. Ky është rast unik, në 17 vite që jam pjesë e këtij parlamenti akoma s`kam parë që një deputet të mos vijë në Kuvend për 2 vjet rresht dhe të vijë për të votuar në fund të gjashtë mujorit”- tha Topalli.

Ristani

Duke argumentuar vendimin unanim për dhënien e mandatit të dytë Gjon Bardhit, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, sqaroi se “neni 164 thotë se deputeti deklaron në mënyrë publike para komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Kjo procedurë sipas ligjit i kalon Komisionit të Verifikimit të Mandateve”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›