Ruçi: Opozita jo importit të mbetjeve në Shqipëri
Në emër të opozitës kryetari i grupit parlamentar i PS-së Gramoz Ruçi është shprehur kundër ligjit për importin e mbetjeve dhe ka kërkuar referendum për t`i lënë shqiptarët të vendosin.
Gjate fjalës së tij, si reagim pas fjalës së Berishës, Ruçi ka deklaruar se opozita jo vetëm nuk e jep votën për këtë ligj, por nëse ai miratohet, do të jetë i pari që opozita do rrëzojë sapo të vijë në pushtet.
“Mos na trazo ne me punët e tua. Ti kërkon të zhvillosh luftën tënde politike me opozitën. Ne nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipëri. Ti s`mund të na imponosh dot alternativën tënde. Aleanca jonë sot është me qytetarët, me problemin. Nëse miratohet ligji atëherë ai do të jetë ligji i plehrave që bashkë me qeverisjen tënde të zhduken edhe plehrat nga Shqipëria” ka shtuar Ruçi.
Ai ka theksuar se opozita është kundër nenit 22 të ligjit i cili lejon importin e plehrave ndërsa ka shtuar se nëse hiqet ky nen atëherë PS-ja është e gatshme të negociojë me mazhorancën për ligjin.
“Ne jemi kundër nenit 22 që lejon importin e plehrave. Hiqeni këtë nen dhe hajdeni të diskutojmë. Është një debat i gjerë këtu dhe jashtë kësaj salle, tek ata njerëz që na kanë prurë ne këtu. Të organizojmë një referendum. Pse s`pranon? Ç`është ky ngut? Ç`është kjo urgjencë? Janë shqiptarët ata që dëmtohen” ka theksuar Ruçi.