Afganistan, atentat vetëvrasës në Herat

Militantët kanë organizuar një sulm vetëvrasës me armë zjarri dhe bombë ndaj një kompanie private ndërtimi në qytetin perëndimor të Heratit, në Afganistan.
Sulmi filloi me një shpërthim në kompleksin e kompanisë, në një zonë pranë aeroportit të qytetit dhe më pas vijoi me armë zjarri.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, forcat e sigurisë janë ende duke luftuar me militantët në kompleksin e kompanisë.
Burimet nënvizojnë se kompania në fjalë punon ngushtë me trupat e huaja për çështje logjistike.
“Në fillim shpërtheu një autobombë dhe më pas dy persona të armatosur u futën në ndërtesë”, ka deklaruar një zëdhënës lokal për agjencinë “AFP”.
Ngjarja, një mes shumë atentateve, ndodh në një moment kur trupat luftarake të NATO-s pritet të tërhiqen nga Afganistani në vitin 2014.
Ditën e mërkurë, presidenti Hamid Karzai deklaroi në një konference të mbajtur në Stamboll se vendi i tij nuk do të gjejë kurrë paqe pa patur një bashkëpunim rajonal kundër grupeve terroriste.
Ndërsa muajin e kaluar, prezenca e Shteteve të Bashkuara dhe trupat e NATO-s dhanë alarmin për rritjen gjithnjë e më shumë të pranisë së rrjetit terrorist Haqqani, në Afganistan.