E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Po mbani peng mandatin e një deputeti, Topalli: Seseri rast unik, mungoi 2 vjet

TIRANË - Kreu i grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi, kërkoi sqarime nga kryetarja e kuvendit në lidhje me mandatin e deputetit të ri të opozitës, pas dorëheqjes së deputetes Rudina Seseri.

Sipas Ruçit, është e papranueshme që mazhoranca të mbajë peng një mandat të PS-së prej 4 muajsh.

TAHIRI: 16 MIJË VENDIME GJYKATASH, PEZULL
eputeti i PS-së Saimir Tahiri akuzoi qeverinë për mos mbajtjen e premtimeve të programit të saj, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të mbetura pezull prej vitesh. Sipas Tahirit, zbatimi i vendimeve të gjykatave është shumë i ngadaltë dhe mbetet një problem madhor në Shqipëri.

“Në programin e qeverisë premtohet se do të ekzekutonte brenda vitit të gjitha vendimet gjyqësore të formës së prerë, ndërsa sot janë mijëra vendime që as nuk e njohin mundësinë për t’u ekzekutuar. Pushtetarët e qeverisë i mbarojnë punët e tyre dhe kur vjen puna qytetarët të cilët arrijnë të fitojnë të drejtën në gjykatë, e kanë të pamundur zbatimin. Është vetë qeveria që nuk zbaton vendimet e gjykatave, si mund të pretendojmë që kjo qeveri të shtyje përmbaruesit të ekzekutojnë vendimet. Kjo qeveri më e pakta është e lodhur dhe më e shumta e mpleksur në korrupsion.”- u shpreh Tahiri.

Sipas Tahirit, qeveria duhet të japë llogari për 16 mijë vendimet gjyqësore të pa ekzekutuara ende.

KUVEND, DISKUTOHET SHËRBIMI PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT
Në Kuvend ka nisur seanca plenare e radhës ku pritet të diskutohet e miratohen disa projektligje. Aktualisht ka nisur diskutimi për projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 10031, datë 11.12.2008, “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”, të ndryshuar”.

Gjithashtu, rendi i ditës i seancës së sotme parashikon dhe shqyrtimin e pr/ligjit "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për sistemin harmonizuar të kodifikimit dhe përshkrimit të mallrave”.

Ndërkohë, pritet shtyrja e pr/ligjit “Për gjykatën administrative", i parashikuar për seancën e sotme, pasi ende nuk është miratuar nga komisioni përgjegjës.

Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2011” është pika e fundit e axhendës së sotme parlamentare.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›