Tatimet: Rritje të ardhurash nga inflacioni
Të ardhurat tatimore të qeverisë gjatë shtatëmujorit të parë të këtij viti, kanë qenë më të larta se plani, por kjo gjë është shkaktuar tërësisht nga rritja e çmimeve të mallrave të taksuara, ndërsa të ardhurat nga akciza, tatim-fitimi etj., kanë rezultuar deficitare. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat tatimore që këtë herë nuk u publikuan të plota, siç bëhet zakonisht, por u mbuluan nga deklarata pompoze. Statistikat e fundit të publikuara nga Ministria e Financave, nuk qenë në formatin e zakonshëm dhe mungonte pasqyrimi i planit. Statistikat e plota që u dorëzuan në ministritë e linjës, vënë në dukje se taksat më të rëndësishme për të treguar nivelin e luftës kundër evazionit fiskal, rezultojnë me deficit. Kështu, të ardhurat nga akciza kanë shkaktuar një deficit prej 234 milionë lekësh, (rreth 2 milionë euro), Tatim-Fitimi ka deficit 219 milionë lekë, ndërsa taksa e qarkullimit të automjeteve ka një deficit prej 683 milionë lekësh. Në total, më shumë se 11 milionë euro mungojnë në buxhetin e shtetit nga mosrealizimi në këto taksa, ndërkohë që qeveria ka realizuar të ardhura të bollshme nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Të ardhurat nga TVSH janë rritur për shkak të rritjes së fortë të çmimit të mallrave në treg.
Po kështu, dhe një tjetër taksë e ngjashme, e cila u përfshi në reformat fiskale të qeverisë nuk ka arritur të mblidhet në masën e kërkuar nga tatimorët. Kontributet e sigurimeve shoqërore kanë rreth 166 milion lekë të munguara nga plani. Më problematike ndër taksat paraqitet ajo e qarkullimit rrugor, ku realizimi është vetëm 76.5 për qind. Prej vitesh kjo taksë nuk ka arritur të realizohet, kjo për shkak të shumë mjeteve që kanë dalë nga qarkullimi dhe nuk janë çregjistruar nga pronarët e tyre. Nga plani shtatëmujor mungojnë mbi 683 milionë lekë të reja në zërin “Taksa e Qarkullimit Rrugor”. ----------------------------------------Llamba falas për të kursyer energji
Ministria e Minierave dhe Energjisë së Kosovës, vendosi së fundmi të dhurojë miliona llapma që konsumojnë energji me eficiencë të lartë, me qëllim që të ulë konsumin e energjisë në vend. Sipas planit, të gjithë konsumatorët familjarë të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, (KEK), do të marrin falas katër llapma, ndërsa konsumatorët-biznes do të marrin gjashtë llapma. Shpërndarja do të nisë në Tetor të këtij viti dhe do të mbarojë në Janar të vitit të ardhshëm. I gjithë projekti do të kushtojë 1.5 milionë euro. Qeveria do të subvencionojë 10 deri në 20% të kostos. Vlerësohet se rreth 15 milionë euro energji elektrike do të kursehen në Kosovë çdo vit nga përdorimi i këtyre llambave. Llambat e teknologjisë së re janë në gjendje të japin të njëjtin ndriçim, duke përdorur 60 deri në 80% energji më pak.