Ruçi, apel Berishës: Bëhu pjesë e zgjidhjes së krizës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është shkëputur dje nga ambientet e grevës së urisë për të realizuar një vizitë jashtë vendit. Ndonëse zyrtarisht nuk u dha asnjë detaj, qarkulluan informacione se lideri i opozitës ishte nisur për një vizitë të shkurtër në Paris dhe në Bruksel. Gjithsesi, mungesa e Ramës në Tiranë nuk e ndaloi dje ritualin e socialistëve për të zhvilluar protestën e tyre të pasdites përpara Kryeministrisë. Në orën 18.00, përpara çadrave të grevistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestues të ardhur nga Qarku i Fierit vijuan thirrjet për hapjen e kutive të votimit dhe ato kundër qeverisë, që Kryeministri Sali Berisha drejton. Pasditen e djeshme ranë në sy akuzat e ashpra ndaj Kryeministrit, që erdhën nga ana e aleatëve të Partisë Socialiste, si Spartak Ngjela dhe Vangjel Dule, të cilët theksuan se ditën e nesërme, kur PS-ja do të protestojë me përfaqësues nga i gjithë vendi, do të jetë edhe dita kur Shqipëria do të festojë rënien e fashizmit. Nga ana tjetër, gjendja e grevistëve ka ardhur duke u përkeqësuar, duke e çuar në tre numrin e personave që iu drejtuan Spitalit Ushtarak, për shkak të komplikacioneve shëndetësore.
AleatëtKryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, në protestën e zhvilluar dje pasdite theksoi se 9 maji do të jetë një ditë e rëndësishme për demonstrimin e opozitës. “Data 9 maj do të jetë një tjetër ditë e fuqishme e shqiptarëve që kërkojnë solidaritet kombëtar dhe liri, që është shkallmuar nga manipulimi i votave tuaja. Kemi 200 njerëz që po na mësojnë një gjë: që nuk është e lehtë të fitosh lirinë”, theksoi Ngjela. Po kështu kryetari i PLD-së, Ngjela, deklaroi se Presidenti Topi duhet t’i japë zgjidhje situatës dhe krizës politike të krijuar në vend. I ashpër në qëndrimet e artikuluara ishte edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Po sipas tij, data 9 maj do të jetë fitorja e së vërtetës. “Sot jemi në ditën e tetë dhe po i afrohemi fitores së madhe të idealeve të demokracisë. Në datën 9 maj të gjithë në shesh për orën e fitores”, deklaroi Dule. Sipas tij, mazhoranca në mënyrë të turpshme kishte hedhur akuza të ulëta ndaj grave socialiste, të cilat ishin bërë pjesë e grevës së urisë. Po kështu, Dule falënderoi ambasadorin amerikan Withers dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian për mbështetjen e madhe që kanë dhënë në zgjidhjen përmes konsensusit të kësaj krize. Nga ana e tij, deputeti i parë i Qarkut të Fierit, njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i ka bërë thirrje Kryeministrit Berisha që të bëhet pjesë e zgjidhjes së krizës politike në vend. Ruçi theksoi se liria dhe demokracia e këtij vendi janë në rrezik. “Dil nga kulla Sali Berisha ku të kanë mbyllur ata që të kanë marrë peng. Bëhu pjesë e zgjidhjes, sepse pavarësisht teje, zgjidhja do të vijë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Fito lirinë tënde qytetar Sali Berisha”, deklaroi Ruçi, duke shtuar se kjo kërkesë Berishës i vinte nga i gjithë populli shqiptar.
GrevaDeri në orët e mbrëmjes së djeshme, kanë përfunduar në spital tre grevistë të tjerë, për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore. I pari që “u dorëzua” ishte Niko Gora nga Qarku i Korçës. Me urdhër të mjekëve, që asistojnë grevën, është vendosur që grevisti të shoqërohej për në spital. Grevisti vuante nga sëmundja e diabetit, e cila në ditën e 7 të grevës e ka detyruar atë të lërë çadrën dhe t’i drejtohet spitalit. Vetëm pak minuta më pas në spital u dërgua edhe një tjetër protestues, Edmond Prifti nga Patosi. Në orët e mbrëmjes së djeshme shëndeti u rëndua edhe për Isa Arapin, rreth 40 vjeç, nga Qarku i Vlorës. Ai ishte i treti person brenda një dite që u desh të dërgohej nën kujdesin mjekësor. Elementi i veçantë i ditës së djeshme ishte fakti se grevisti Demo Muhaj, i cili u transportua të enjten nga çadrat për në spital, u rikthye sërish në grevë. Pas marrjes së mjekimit dhe qëndrimit në spital, ai është rikthyer në çadra.
#