E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema piramidale, hetime në katër shtete

Prokuroria shqiptare do të kërkojë informacione në Maqedoni, Qipro dhe Kosovë

Skema piramidale, e ngritur nga dy shtetasit kosovarë dhe nga një i tretë shqiptar i shpallur në kërkim, do të hetohet nga të paktën katër shtete. Drejtësia shqiptare ka finalizuar operacionin “Rruga pa sukses”, duke vënë në pranga Valon Kyçykun dhe Burim Haxhiolli, ndërsa Maqedonia dhe Kosova pritet të fillojnë hetimet pas bashkërendimit të informacioneve me njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme. Nga burime pranë grupit hetimor mësohet se në ditët në vijim do të dërgohet në shtetin e Qipros një letër-porosi për të marrë informacione rreth kompanive të regjistruara në këtë vend. Hetuesit e çështjes janë pesimistë për bashkëpunimin e shtetit të katërt, pra Qipros. Në të kaluarën e afërt, ky shtet nuk i ka servirur drejtësisë shqiptare informacione për disa procedime penale. 
Hetimet e njësisë Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës kanë vijuar edhe dje, duke përgatitur kërkesat për vlerësimin e masës së sigurisë për dy të arrestuarit. Kyçyku dhe Haxhiolli pritet të dalin sot para togave të zeza për të verifikuar masën e sigurisë “burg pa afat”, ndërsa grupi hetimor është përgatitur me të gjitha “armët”, duke servirur në gjykatë provat e mbledhura nga një hetim 90-ditor. Pasditen e djeshme grupi hetimor ka dërguar në gjykatë vëzhgimet dhe përgjimet ndaj kësaj shoqërie fantazmë që dyshohet se u ka vjedhur ëmbëlsisht shqiptarëve rreth një milion euro.

Krahas këtyre personave, policia dhe prokuroria po bashkëpunojnë për vënien para përgjegjësisë ligjore të disa personave të tjerë, të cilët dyshohet se organizonin këtë skemë mashtrimi në Shqipëri. Në kërkim është shpallur një i tretë, ndërsa mund të hetohen në gjendje të lirë edhe dhjetëra persona që kanë “mashtruar” shokët e kolegët për këtë, duke u premtuar të derdhnin 2290 euro për t’u pasuruar pa punuar. Organizatorët e këtij grupi kanë mashtruar 400 qytetarë shqiptarë, duke i rekrutuar sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit. Policia e Tiranës tha se Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre. Këtë aktivitet të paligjshëm këta shtetas e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, me seli në Shkup, Maqedoni. Policia thotë se Kyçyku dhe Haxhiolli janë arrestuar para fillimit të një seminari të radhës në një nga lokalet e Tiranës. Agjentë të policisë i vëzhgonin prej disa muajsh të dyshuarit me të gjitha metodat speciale të hetimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›