Serbia pranon formalisht Kosovën-shtet
Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord që t'i dërgojnë ministrat e Jashtëm në takimin e Sarajevës, raporton e përditshmja e Beogradit, "Danas". Gazeta citon zyrtarë të kenë thënë se për të siguruar pjesëmarrjen e kryediplomatëve, Vuk Jeremiç dhe Skënder Hyseni, pjesëmarrësit në takimin e 2 qershorit nuk do të fotografohen bashkë para dhe pas takimit, dhe nuk do të ketë deklaratë të përbashkët. Përveç kësaj, para pjesëmarrësve do të jenë vetëm emrat e tyre, pa funksionin apo vendin. Përfaqësuesit serbë dhe kosovarë i kanë thënë gazetës se kushtet janë pranuar.
"Jemi të lumtur për shkak se Serbia ka pranuar të marrë pjesë në Sarajevë", i ka thënë gazetës zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi. Oliver Ivanoviç, nga Ministria serbe për Kosovën, i ka thënë gazetës se pala serbe ka pranuar të marrë pjesë në Sarajevë, për shkak se takimi është i nivelit më të ulët se ai në Slloveni.
Komisionieri i Bashkimit Europian për Zgjerim, Stefan Fule, gjatë vizitës në veri të Mitrovicës nuk ka dashur të komentojë rreth çështjes së bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Por, ai i ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk janë duke u zhvilluar bisedime të fshehta. Ai ka thënë se është duke u pritur vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mënyrë që brengat e qytetarëve të përfundojnë brenda këtij viti. Fule në mënyrë indirekte ka lënë të kuptohet se mundësitë e fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd janë duke u shqyrtuar.
SurroiPublicisti Veton Surroi deklaroi se bisedimet mes Prishtinës e Beogradit janë të pashmangshme dhe ato, sipas tij, nuk do të jenë teknike, por politike. Në një intervistë për BBC-në, Surroi tha se përgatitjet për bisedime po bëhen në kohën kur pritet të merret vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai tha se pala serbe ka një platformë të veprimit politik, me qëllim ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Sipas tij, institucionet e Kosovës do të duhej të definonin platformën e tyre dhe jo të presin që platforma serbe të bëhet pjesë e bisedimeve të ardhshme. Ai e cilësoi shtetin e Kosovës si jofunksional, të ndarë dhe pa sovranitet të plotë. Sa i përket anës së fshehtë të bisedimeve, Surroi tha se ka pasur në të kaluarën kontakte të fshehta, që kanë prekur pulsin e njëra-tjetrës rreth ndarjes së Kosovës. "Unë mund të paragjykoj se nëse ka pasur në të kaluarën, do të ketë përpjekje edhe në të ardhmen, por edhe në të tashmen, që nëpërmjet kontakteve të fshehta të hulumtohet sërish opsioni i ndarjes së Kosovës". Ndërkaq, sa i përket opsionit të ndarjes së Kosovës, ai tha se "është gjithnjë veriu i Kosovës i cili nxirret në tavolinë si opsion i ndarjes, jo tani, por më vonë ". I pyetur nëse do të ketë bisedime teknike apo statusore, ai tha: "Statusore jo në kuptimin e pavarësisë apo jo të Kosovës. Kjo është çështje e mbyllur. Por sa i përket funksionalitetit dhe në këtë drejtim të statusit, po. është e qartë se bisedime teknike nuk ka, të gjitha bisedimet janë politike dhe të gjitha zgjidhjet janë politike. Nuk ekziston diçka që ndërkohë t’i vihet emri teknike, por në fakt nuk ka teknikalitet aty", tha Surroi.
#