Berisha deputetëve të PS: Ejani me mua në inaugurime
Kryeministri Sali Berisha provokon opozitën duke e ftuar të jetë prezente në çdo komunë dhe bashki ku ai shkon për inaugurime. “Urdhëroni zonja dhe zotërinj deputetë të Partisë Socialiste, në çdo komunë ku do të shkojë Kryeministri jeni të ftuar, në çdo komunë ku shkojnë ministrat për inaugurim jeni të ftuar, sepse këto vepra jo vetëm që ndërtohen për të gjithë qytetarët, por kanë mundin dhe djersën e taksapaguesve socialistë gjithashtu”, u shpreh Berisha nga Laçi. Ai theksoi dje se inaugurimet nuk janë vetëm për demokratët, por për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga bindjet partiake. “Zotërinj, mos shikoni realitetin me gjyzlykët e kryetarit, sepse unë ju jap fjalën e nderit se kryetarit gjithnjë e më shumë po u nxihen gjyzlykët”, tha ai. “çdo ditë inaugurojmë rrugë të reja, shkolla të reja, ujësjellës e kanalizime e megjithatë në Shqipëri si në asnjë vend tjetër, bazuar në nihilizmin, krerët e opozitës mohojë çdo gjë. Dalin para mediave të vrerosur gjoja për atë që krijojnë vetë në mendjen e tyre. Flasin për krizë dhe krizë të madhe, sepse krizë kanë në kokën e tyre”, tha Berisha. Sipas tij, “deputetët e PS-së duhet të vijnë në këto inaugurime dhe si vlerësim e respekt të madh ndaj atyre që ju kanë votuar dhe pastaj jam i bindur se do të ndihmoni dhe kryetarin tuaj, duke i thënë se janë gjyzlykët ato që ta nxijnë Shqipërinë, sepse Shqipëria po zbardhet çdo ditë e më shumë”. Entuziazmi i Kryeministrit, i cili në vizionin e tij për Shqipërinë është gjithëpërfshirës, është pasuruar me emocionet politike të pasdites në Kamzë, ku Berisha ka marrë pjesë në anëtarësimin e disa të rinjve në Partinë Demokratike. Pa njohur asnjë hezitim, ai ka dhënë vlerësimet më të mëdha për forcën që drejton, të cilën e ka prezantuar si të lidhur fort me idealet fisnike të demokracisë dhe lirisë.
Rama: Pushteti do dorëzohetNjë optikë e kundërt vjen për vendin nga opozita. Konkretisht, nisma e shumicës së djathtë për ndryshimin e rregullores së Kuvendit lidhur me votimin e anëtarëve të gjykatave përvijohet si një argument shtesë në denoncimin që opozita socialiste po i bën krizës në Shqipëri. Duke folur nga Fieri, kreu i saj, Edi Rama, ka prekur edhe problemet e shfaqura së fundmi në Këshillin Parlamentar të Mandateve, duke e cilësuar projektin për eliminimin e votimit të fshehtë si një manovër që synon kontrollin mbi gjyqësorin. “çfarë tjetër përveçse gjunjëzim i gjyqësorit deri në fund, është përpjekja për të votuar në mënyrë të hapur anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kutitë e mbyllura për votën e popullit, votë e hapur për gjykatësit në Kuvend", deklaroi Edi Rama, kreu i PS-së. Sipas tij, pushteti është përfshirë nga përpjekje për të izoluar çdo tentativë balancimi, duke e rifreskuar me shembuj të rinj atë që për opozitën përbën krizë të demokracisë në Shqipëri. Shansi i daljes nga kjo situatë është arritja e një marrëveshjeje, që në opsionet e parashtruara nga Edi Rama duhet të mbajë parasysh transparencën. “Pushteti nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse të dorëzohet, sepse të drejtat tona ne nuk i negociojmë dhe rrugën e transparencës...", vijoi Rama. Kërkesa për një riformulim politik të marrëdhënieve dypalëshe po synohet nga selia rozë në kontekstin e një klime politike, e cila me zgjatjen e vet priret të prodhojë kosto për qeverinë, që ka përgjegjësi më të gjera institucionale ndaj vendit. Ajo që mbetet ende e parealizuar është marrja e këtyre përgjegjësive, e cila ka pezulluar edhe dialogun normal politik në vend.
#