Ruçi, maxhorancës: “PS-ja e ka gati kompromisin, në të kundërt nisin protestat”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste e ka ofruar kompromisin e saj për zgjidhjen e krizës politike që prej një muaji, por nëse kompromisi nuk do të arrihet, selia rozë paralajmëron sërish protesta. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, dje, në një bashkëbisedim më gazetarët, bëri thirrje për zgjidhje të menjëhershme të krizës, pasi sipas tij, nuk ka më kohë. Kreu i Grupit Parlamentar socialist deklaroi se PS-ja i ka paraqitur përfaqësuesit demokrat Astrit Patozi tri kërkesa, të cilat janë: një rezolutë e përbashkët për integrimin në BE, ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet dhe pas hetimit, fillimin e reformës zgjedhore. Opozita i bën të qartë maxhorancës se zbatimi i Rezolutës së Parlamentit Europian konsiston në transparencën e plotë të zgjedhjeve duke përfshirë hapjen e kutive.
Deklarata
Ruçi i bëri thirrje maxhorancës që me fillimin e muajit shtator të angazhohet për zbardhjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i Grupit të socialistëve u shpreh se hetimi duhet të përmbajë fletët e votimit, në të kundërt, shtoi ai, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, presidenti Bamir Topi apo Gjykata Kushtetuese t’i drejtohet një arbitri ndërkombëtar, siç është Komisioni i Venecias. “Ka kaluar më shumë se një vit nga zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Ne, që nga 28 korriku i kemi paraqitur maxhorancës tri propozime. Së pari, miratimin e një rezolute nga ana e Parlamentit shqiptar për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Së dyti, angazhimin tonë për zgjidhjen e krizës politike lidhur me transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009, si dhe hapat konkretë që duhen hedhur në këtë drejtim. Së treti, angazhimin tonë politik për një reformë të plotë elektorale”, - deklaroi Ruçi. Ai theksoi se nuk duhet të ketë ekzekutim të fletëve të votimit. “Transparenca e zgjedhjeve do të bëhet së bashku me fletët e votimit. Përjashtojmë ekzekutimin e fletëve, ndaj propozojmë të vazhdojmë negociatat për fletët e votimit. Në rast se maxhoranca kundërshton, kryetarja e Parlamentit le t’i drejtohet Komisionit të Venecias”, - u shpreh Ruçi. Sipas Ruçit, PS-ja nuk do të dëshironte të vazhdonte më tej me protesta, pasi çdo gjë mund të zgjidhet në sajë të një vullneti të mirë politik.
Reforma zgjedhore
Kreu i Grupit Parlamentar socialist theksoi se e majta nuk do t’i mungojë debatit parlamentar për ndryshimet në Kodin elektoral, por në plan të parë zbardhja e të vërtetës së zgjedhjeve të kaluara. “Ne, si forcë politike, nëse e ka fjalën se si po përgatitemi ne, sigurisht, ne po kryejmë detyrat tona të shtëpisë, që krahas ngritjes së komisionit hetimor, jemi të gatshëm në çdo kohë për ndryshimet dhe korrigjimet që i duhen bërë infrastrukturës zgjedhore, Kodit elektoral. Ashtu sikurse për të qenë e gatshme, makineria jonë elektorale, në të gjitha planet, në të gjitha drejtimet, për t’u përballuar me kundërshtarin tonë politik në fushatën e ardhshme elektorale”, - u shpreh Ruçi.
Kriza politike
Partia Socialiste është e interesuar t’i japë zgjidhje krizës politike më shumë se njëvjeçare, duke i paraqitur maxhorancës që prej një muaji kompromisin e saj.
“Ne, që nga 28 korriku i kemi paraqitur maxhorancës tri propozime. Së pari, miratimin e një rezolute nga ana e Parlamentit shqiptar për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Së dyti, angazhimin tonë për zgjidhjen e krizës politike lidhur me transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009, si dhe hapat konkretë që duhen hedhur në këtë drejtim. Së treti, angazhimin tonë politik për një reformë të plotë elektorale”, - u shpreh Ruçi.
Reforma zgjedhore
Opozita është e gatshme të marrë pjesë duke kontribuuar në ndryshimet e Kodit Zgjedhor sipas standardeve europiane. Në këtë rast, partia më e madhe e opozitës, Partia Socialiste, i përgjigjet Lëvizjes Socialiste për Integrim se reforma zgjedhore do të kryhet pas hetimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Ne, si forcë politike, nëse e ka fjalën se si po përgatitemi, sigurisht, po kryejmë detyrat tona të shtëpisë, që krahas ngritjes së komisionit hetimor, jemi të gatshëm në çdo kohë për ndryshimet dhe korrigjimet që i duhen bërë infrastrukturës zgjedhore, Kodit elektoral”, - tha Ruçi.
28 Gusht 2010