E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka “harron” fletët e votimit: “Rezoluta e PE-së kërkon hetimin e materialeve zgjedhore”



Maxhoranca, me sa duket, nuk dëshiron ta kuptojë se hetimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit duhet të përfshijë edhe fletët e votimit. Nënkryetari i Grupi Parlamentar demokrat, Edi Paloka, u shpreh dje se selia rozë e interpreton në mënyrë të drejtë Rezolutën e Parlamentit Europian kur kërkon hetimin e materialeve zgjedhore dhe se kjo është qasja e duhur për të afruar palët në një zgjidhje përfundimtare. Por Paloka, në deklaratën e tij ka “harruar” të përmendë edhe fletët e votimit që është objekti më kryesor për hetimin e zgjedhjeve. “Me fillimin e sezonit të ri, duke parë edhe ato deklarata që janë bërë nga PS-ja, pavarësisht tonit të ashpër në dukje, mendoj që ka një lloj reflektimi edhe prej tyre për Rezolutën e Parlamentit Europian. Në deklaratat e tyre flitet për një fillim hetimi me materialet zgjedhore, që në fakt është edhe kërkesa e PE-së. Unë mendoj se është hapi i duhur për PS-në”, - tha Paloka.
Ai komentoi më tej zërat që flasin se PS-ja e kërkon Bashkinë e Tiranës në tavolinë, duke shtuar se veprimet politike të PS-së të bëjnë të mendosh një gjë të tillë, por se ndryshe nga herët e tjera, tha ai, selia rozë nuk e ka bërë drejtpërdrejt një kërkesë të tillë. “Edhe unë po këto zëra kam dëgjuar. Janë disa fakte që të bën të besosh se këto zëra nuk janë fare pa zë. Presioni që bëhet për arsyet që nxjerr nuk më duket i argumentuar dhe kjo të bën të mendosh që kërkohet dhënia në tavolinë e Bashkisë së Tiranës. Ju e keni dëgjuar që kryetari i PD-së e ka bërë të qarë se nuk e ka pasur një kërkesë të tillë këtë herë nga PS-ja”, - tha Paloka. Deputeti demokrat thotë se PD-ja e ka tashmë kandidaturën e saj për Tiranën që garanton fitoren dhe ka mbështetjen e të gjitha strukturave, por pa përmendur një emër.

Felaj: “Kunati i ministres Bregu ka përfituar koncesion për ndërtimin e HEC-ve”

Partia Socialiste, në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, ka vazhduar të paraqesë fakte të reja nga maxhoranca që dëshmojnë lidhjen e saj me aferat korruptive. Pak ditë më parë, opozita e ftoi maxhorancën ta bëjë vetë transparencën lidhur me përfshirjen e saj në aferat korruptive. Por, me sa duket, maxhoranca nuk ka ndër mend ta bëjë një gjë të tillë dhe i ngelet vetë PS-së ta bëjë këtë transparencë me hetimin e saj. Deputetja socialiste Ermonela Felaj deklaroi dje se vëllai i bashkëshortit të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, ka përfituar koncesion për ndërtimin e disa hidrocentraleve. Deputetja Felaj i ka kërkuar ministres Bregu që të deklarojë vetë nëse kunati i saj ka përfituar ndonjë kontratë koncesionare. “Ne e kuptojmë se zonjës Bregu i ka hyrë lepuri në bark nga të gjitha këto pyetje, megjithatë, ministrja e kësaj qeverie u detyrohet shqiptarëve përgjigjet e këtyre pyetjeve”, - u shpreh Felaj, duke e ftuar atë t’u përgjigjet disa pyetjeve që vijnë nga PS-ja. “Zonja Bregu, a jeni ju e martuar me shtetasin Namik Beqir Ajazi? Zonja Bregu, a ka bashkëshorti juaj një vëlla me emrin Hektor Beqir Ajazi? Zonja ministre e Integrimit, a ka në pronësi bashkëshorti juaj Namik ndonjë kompani aktive që ka lidhje me fushën e energjisë? Zonja Ministre, a ka kunati juaj, Hektor Beqir Ajazi, ndonjë kompani aktive që edhe sot që flasim, operon në sektorin e energjetikës? A ka përfituar kunati juaj, Hektor Beqir Ajazi, ndonjë koncesion për ndërtimin e një numri të konsiderueshëm hidrocentralesh mbi kaskadën e ndonjë lumi në Shqipëri, koncesion i dhënë nga e njëjta qeveri, Ministre dhe zëdhënëse e së cilës ju jeni? Brenda mundësive, do të dëshironim të dëgjonim përgjigjet tuaja rreth këtyre pyetjeve zonja Bregu”, - u shpreh Felaj.

Reagim

Bregu: “Kunati im e ushtron biznesin e tij “VIP” përpara se të hyja në politikë”

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, iu përgjigj akuzave të opozitës duke deklaruar se kunati i saj, Hektor Ajazi, e ushtron biznesin e tij të regjistruar në Regjistrin Tregtar si biznes VIP që në vitin 2002, përpara se ajo të hynte në politikë në vitin 2005.
Ministrja Bregu iu përgjigj pyetjeve të ngritura sot nga Partia Socialiste për përfitimin e ndonjë koncesioni për ndërtim hidrocentrali nga kunati i saj. "Bashkëshorti im, Namik Ajazi, ka një vëlla të vetëm dhe ai quhet Hektor Ajazi. Nuk kemi jetuar ndonjëherë në të njëjtën shtëpi, pasi ai ka familjen e tij që prej vitit 1992. Ai nuk është pronar i ndonjë kompanie energjetike, por e vërteta është se gëzon 15 për qind të aksioneve për ndërtimin e një HEC-i së bashku me 6 shoqëri të tjera dhe 7 partnerë të rëndësishëm kombëtarë të lidhur së bashku në një konsorcium", - tha Bregu. Ministrja e Integrimit theksoi se Kushtetuta dhe ligji shqiptar nuk ndalojnë asnjë biznesmen që të investojë për të zhvilluar një biznes, aq më tepër në energjetikë, një nga fushat më prioritare për zhvillimin e vendit. "Jam e gatshme të përgjigjem përsëri në rast se PS-ja vërteton se kunati im ka përfituar në mënyrë joligjore nën emrin tim ndonjë kontratë koncesionare, apo ka shkelur ndonjë ligj apo rregull të shtetit shqiptar", - u shpreh Bregu.

28 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›