E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi sfidë Berishës: Ta hapim vetëm kutinë e Ruzhdies në Kuvend

Autori i Lajmit: S.T

Kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi nga foltorja e Kuvendit i ka bërë një sfidë publike Kryeministrit Berisha për hapjen e kutisë së zonës së Ruzhdies ku mazhoranca pretendon se i është vjedhur një deputet të hapet në Kuvend. “Ne si socialistë na mjafton vetëm transparenca e kutisë së Ruzhdies dhe nëse nuk del qartë mekanizmi i korrupsionit elektoral ta sjellim dhe ta hapim këtu në Parlament për të vendosur më tej dhe nëse bindja jonë për zgjedhjet nuk del unë personalisht do tju kërkoj ndjesë publike dhe së bashku me 8 deputetët e tjerë të PS-së për qarkun e Fierit do të japim dorëheqjen”, - theksoi Ruçi. Në fjalën e tij Ruçi ka deklaruar se Parlamenti ka ende një konflikt të pazgjidhur me popullin opozitar, që sipas tij është transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Pikërisht, thekson Ruçi, kjo është arsyeja pse PS ka ardhur në Parlament, për të hetuar zgjedhjet. Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Asamblesë Parlamentare, u shpreh se arsyeja e kthimit në Parlament është vullnet i popullit opozitar, është vullneti i votës së tyre të vjedhur, që sipas Rucit, ky parlament duhet ta tregojë ku ka shkuar, jo për të ndryshuar rezultatet por për të ndryshuar rregullat e lojës. “Jemi këtu për çdo shqiptar që për 6 muaj protestuan bashkë me ne dhe do të qëndrojmë këtu nëse ju çliroheni nga konflikti i interesit që shkel Kushtetutën për të mos lejuar hetimin e zgjedhjeve. Shqipëria është në krizë demokratike dhe ekonomike e keni të pamundur ti jepni shqiptarëve arsim për fëmijët, liri për biznesin, integrimin e shumëpritur evropian, e keni përdorur këtë faltore për të akuzuar opozitën, por mos e bëni të pamundur transparencën e zgjedhjeve se do ta keni të pamundur për ta përmbajtur pushtetin. Sot kërkojmë hapjen e kutive ku populli ka vendosur rezultatin, jo për të ndryshuar rezultatet por për të ndryshuar rregullat e lojës, të lejoni popullin të shikojë votën e vetë, ose qeverisni duke lejuar transparencën ose largohuni”- deklaron Ruçi. Kreu i Asamblesë Parlamentare të PS ritheksoi në Kuvend se kërkesat e opozitës janë legjitime dhe nuk pengohen nga vendimet e gjykatave. Duke theksuar kërkesat e PS për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e pakushtëzuar të zgjedhjeve si dhe hapjen e kutive të votimit Ruci u shpreh se kjo është oferta e opozitës për zgjidhjen e krizës.“Topi është në fushën tuaj zoti Berisha, jemi këtu për të pritur reagimin tuaj”,- u deputeti socialist.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›