E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti spaguan energjinë, OSSH i pret dritat edhe spitaleve

Autori i Lajmit: Redaksia
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u ndërpret energjinë elektrike 167 subjekteve buxhetore dhe jo buxhetore në vend. Aksioni është përqendruar në 9 qytete të vendit, si Tiranë, Durrës, Kukës, Korçë, Elbasan, Berat, Fier, Burrel dhe Shkodër. Në listën e debitorëve figurojnë qendra shëndetësore, spitale, ambulanca, shkolla kopshte fakultete, konvikte, zyra përmbarimi, zyra tatim-taksash, qendra kulture, komuna e bashki e komisariate policie. Në listë nuk mungojnë, madje as selitë e partive kryesore në vend siç është ajo e Partisë Demokratike në qytetin e Kukësit apo selia e Partisë Socialiste në Tropojë. Rekordin në këtë listë e zë qyteti i Kukësit, në të cilin dje u është ndërprerë energjia elektrike 63 subjekteve.
Mospagesa e energjisë elektrike të konsumuar nga abonentet familjarë por aq më shumë nga institucionet shtetërore, ka bërë që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes të ndërmarrë hapa të tjerë të cilësuar më të efektshëm për mbledhjen e borxhit, ndërprerjen e energjisë.
Reduktimi i borxhit
Borxhi që institucionet shtetërore kanë akumuluar ndaj OSSH-së shkon në 5.5 miliardë lekë. Përballë kësaj situate, kompania i ka lëshuar paralajmërimin e fundit debitorëve se në rast se nuk shlyejnë detyrimet deri ditën e sotme do të përballen me ndërprerje të energjisë çdo ditë nga ora 09.00 deri në 13.00. "OSSH nuk mund ta tolerojë më neglizhencën e subjekteve buxhetore dhe jo buxhetore dhe për këtë arsye është e detyruar të ndërmarrë veprime të parashikuara në kontratën që përcakton të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. Në këtë kuadër, qe nga data 24 shkurt 2010, të gjitha institucionet që nuk do të paguajnë borxhet ndaj kompanisë, do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike çdo ditë nga katër orë në mëngjes. Të gjitha institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, të cilat kanë borxh të akumuluar nuk do të furnizohen me energji nga ora 09.00 deri 13.00 çdo ditë për një afat të papërcaktuar"- deklaron kompania. OSSH vazhdimisht ka vënë alarmin për nivelet e larta të mospagesës së energjisë së konsumuar, duke kërkuar kompensimin e humbjeve me rritjen e çmimit. Sipas të dhënave që ofrohen nga kompania, gjatë dy viteve 2007-2009, borxhi që abonentët i kanë asaj ka arritur në 28 miliardë lekë. Sipas ligjit, debitor ndaj kompanisë konsiderohen ata abonentë që nuk kanë paguar energjinë elektrike më shumë se dy muaj. "Në llogaritjet që u bënë në fund të 2009, OSSH ka një borxh të akumuluar prej 28 miliardë Lekësh, prej të cilave 3.2 miliardë Lekë janë borxhe të subjekteve jobuxhetore dhe 1.3 miliardë Lekë të atyre buxhetore", - shpjegon kompania. Në këtë mënyrë, OSSH i ka njoftuar këta të fundit për shlyerjen e borxhit pasi në të kundërt do të përballeshin me shkëputjen e energjisë elektrike.
Paralajmërimi
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes paralajmëroi debitorët se nëse nuk paguajnë detyrimet që kanë ndaj kësaj kompanie do tu hiqet energjia elektrike nga ora 9 deri në orën 13:00, operacion i cili filloi dje me ndërprerjen e energjisë në subjektet e përfshira në listë.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›