Rudina Seseri, një viktimë “par excellence” e misogjinit Edvin
Rudina Seseri, pas një kohe të gjatë mungesash në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ka lënë me dëshirën e saj mandatin e deputetes. Arsye e kësaj dorëheqje janë të paqarta, janë personale. Hamendjet janë të shumta. Deputetja socialiste, Rudina Seseri kishte 6 muaj pa u dukur në vendin e punës, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Arsye e kësaj mungese të dytë ishin të paqarta. Herën e parë znj. Seseri pati munguar “me arsye” për shkak të vendimit të kreu të PS-së, Edi Rama për të bojkotuar punimet e parlamentit shqiptar, pa ndonjë arsye legjitime. Megjithatë të gjithë deputetët socialistë tok me ta dhe Rudina Seseri u bindën të dalin jashtë parlamentit, sikur të ishin dele që dilnin nga vatha pasi bërtiste bariu. Kjo dalje pa strategji shkaktoi një përçarje brenda grupit parlamentar socialist, dhe për rrjedhojë u krijua një gjysmë lëvizje parimore të njohur si “lëvizja për mendim ndryshe” të kryesuar nga deputeti Ben Blushi, që kundërshtonte haptazi kryesinë socialiste dhe kreun e kësaj partie për humbjen e zgjedhjeve dhe se duhej të jepte dorëheqjen në respekt të nenit 28 të statutit të Partisë Socialiste. I vënë në presion për të dhënë dorëheqjen, kreu i PS-së, Edi Rama krijoi alibinë e vjedhjes së votës, prandaj gjeti dhe sloganin “Hap kutitë ose largohu”, çka ishte antikushtetuese, pasi ishte procesi mbyllur sipas të gjitha standardeve dhe ligjeve, pas asnjë kundërshtim nga ana e komisionarëve të PS-së në të gjithë vendin.
Mirëpo, për të mbajtur frerët e partisë, Edi Rama radikalizoi qëndrimin, duke urdhëruar bojkotimin e Parlamentit dhe nisur protestat anekënd për të hapur kutitë ose larguar kryeministrin legjitim të shqiptarëve, Sali Berisha. Në mbështetje të Ramës ishin një pjesë e madhe e deputetëve të përzgjedhur prej tij në listë, mes tyre dhe Rudina Seseri. Kundër bojkotit të Parlamentit ishin Andis Harasani, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello e Ben Blushi. Ky i fundit gjatë një mbledhje të grupit parlamentari duke kundërshtuar bojkotin i kthehet Rudina Seserit që e kundërshtonte fort, me fjalët e botuar më pas në media: “Ti e do bojkotin që të shkosh prapë në Amerikë. Mos guxo më të lakosh emrin tim. Po s’ke faj ti. Fajin e ka ky (Edi Rama) që e mbushi partinë me të tillë (budallaqe) si puna jote”.
Edi Rama i kthehet Blushi duke i thënë “boll” dhe “të ketë më respekt”. Një ditë më pas e pyetur për incidentin me Ben Blushin në mbledhjen e grupit parlamentar Rudina Seseri përgjigjet: “brenda PS nuk po zhvillohet një debat banal, por një debat cilësor tipik për një parti të demokratizuar”.
Mirëpo u desh shkurti i 2010 që znj. Seseri të gëzonte mandatin e deputetit, pas bojkotimit një herë të kushtëzuar dhe herë tjetër të pakushtëzuar. Aq shumë bojkotuan socialistët saqë kur u paraqitën në Kuvend kryeministri Berisha në korrik të këtij viti, me nota ta forta ironike tha se kishte në dispozicion “... notat e deputetët e Partisë Socialiste, që nuk e kanë kaluar klasën”, tha ai, duke iu kundërvënë dy folëseve të para socialiste të seancës, Mimi Kodheli dhe Rudina Seseri. Kryeministri Sali Berisha akuzoi deputetët e PS se nuk dinë të bëjnë mirë llogaritë sepse kanë dalë dobët në shkolla. “Dëgjoni kam notat tuaja në regjistra dhe e di sa kapacitet keni, Zonja Seseri, 7, Arben Malaj e ka 5, etj”.
Megjithatë në zgjedhjet parlamentare të 2009 ajo hyn në zemër të Edi Ramës (edhe pse në 2005-në bënte pjesë në stafin e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike. Dhe në 2007 ishte një këshilltare e qeverisë shqiptare për marrëveshjen me “Microsoft”) , që e fut në mënyrë të mistershme në listë për deputete si kryesuese e listës në një nga qytetet më të rëndësishëm të Shqipërisë, duke lënë jashtë figura të rëndësishme të PS-së si Fatos Nano, Ilir Zela. Artan Lame, Auron Tare, Musa Ulqini, Moikom Zeqo, etj. Një gafë e pafalshme. Dhe gafa nisi me “reklamën” e lënies së “Uall Street”-it nga ana e saj dhe të një super-pagese, pas ftesës që mori nga Shqipëria. Gafa vazhdoi me të afërmit e zonjës, të cilët kanë votuar pa mëdyshje për PD-në çdo herë (sipas shtypit). Dhe qershinë mbi tortë e vuri vetë zonja Seseri, e cila në mënyrë absolutiste u shpreh se kishte ardhur nga SHBA-ja së bashku me diplomat dhe ekipin e saj për të qeverisur Shqipërinë dhe se problemet e vendit i kishte njohur pasi vizitoi dy fshatra në Krujë! Mbahet mend mirë se “ndihmë” dha edhe replika e Sokol Olldashit kundrejt saj në Parlament, sipas të cilit, Seseri duke i kërkuar sistemim për të motrën e larguar nga Bashkia e Tiranës, ishte shprehur për ish-kryebashkiakun Edi Rama se, “nuk punohet me atë kafshë”. Një fakt ende e pa përgënjeshtruar nga Seseri.