E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rugova: Qeveria aktuale po e fundos shtetin

Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se kjo qeveri po e fundos shtetin e Kosovës dhe se ky koalicion qeverisës e ka humbur kredibilitetin para qytetarëve të vendit.

Nënkryetari i LDD-së, Naser Rugova në një konferencë për media të mbajtur të martën, ka thënë se mungesa e vizionit qeverisës, papërgjegjësia, neglizhenca dhe jo profesionalizimi i këtij koalicioni qeverisës, po e privon të drejtën e qytetarit të Kosovës dhe vendin tonë nga integrimi normal në familjen e madhe evropiane.

Sipas tij vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën, dhe letra e Komisionit Evropian drejtuar Qeverisë së vendit për mos fillimin e procedimit e prodhimit të pasaportave biometrike, është një nga lajmet më të këqija që vendi ynë dhe qytetarët e vendit e morën, dhe kjo sipas tij është pasojë e keqqeverisjes, keqmenaxhimit dhe mos respektimi i Kushtetues, rendit dhe ligjit.

Ai ka theksuar se deklarimet e disa zyrtarëve qeveritar se po fillojmë negociata për procesin e liberalizimit të vizave, se do të punojmë për të ecur Kosova përpara, janë vetëm deklarime dhe “gënjeshtra të kulluara”.

“Mungesa e sundimit të renit dhe ligjit, krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi, zhvatja e pasurive kombëtare, keqmenaxhimi dhe vjedhja e buxhetit të taksapaguesve të varfër kosovarë, është emëruesi i përbashkët i kësaj qeverie, me këtë logjikë qeverisëse, me këtë trand qeverisës, me këtë koncept qeverisës, po e largojnë Kosovën nga proceset integruese në Evropë”, ka thënë ai, transmeton Kosovapress.

Sipas tij këto konstatime i vërteton edhe raporti i fundit i EULEX-it në lidhje me funksionimin e gjyqësorit, policisë dhe doganave, dhe është konstatuar se ka ndikim direket dhe implikime direket të politikës në gjyqësi.

“Lidhja Demokratike e Dardanisë inkurajon prokurorinë e shtetit, mekanizmat relevant të Policisë të Kosovës dhe gjyqësorin, që të qëndrojnë, mos të përkulën para këtyre qeveritarëve të korruptuar, të cilët shumë shpejt do të përballen me drejtësinë, por edhe me vullnetin e qytetarëve të vendit tonë”, tha ai.

Ai po ashtu ka shtuar se misioni i EULEX-it para disa kohe ka marrë serverët në Ministrinë e Arsimit, dhe sipas tij EULEX-i do të shkojë deri në fund të hetimit të këtyre rasteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›