E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të zbardhet lidhja e Ramiz Alisë me ngjarjen

08/06/2010 Kryeministri Berisha kërkon hetim parlamentar për masakrën e Tivarit

Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur masakrën e Tivarit, ndodhur në prill të vitit 1945 dhe përfshirjen e ish-presidentit Ramiz Alia. Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar të PD-së, ka kërkuar nisjen nga puna të hetimit parlamentar, duke vendosur bashkëpunimin me të gjitha parlamentet e vendeve përreth. Kryeministri theksoi se gjenocidi i Tivarit është një nga gjenocidet më të mëdha në historinë e Luftës së Dytë Botërore deri më sot, dhe duhet zbardhur patjetër. Komisioni do të ketë për qëllim mbledhjen e dokumenteve, fakteve, dëshmive, nëse ka ende persona që i mbijetuan masakrës së Tivarit. “Ka dëshmi, ka prova, dhe t’i bëhet botës, t’u bëhet shqiptarëve në radhë të parë e qartë se ku shkoi lulja e rinisë shqiptare, se çfarë roli luajti klika barbare e Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilën keni konstatuar tani se po përpiqen ta rikthejnë me ardhjen e bllokmenëve në krye të Partisë Socialiste”, ka deklaruar shefi i ekzekutivit. Kreu i Qeverisë tha se komisioni hetimor parlamentar duhet të bashkëpunojë me parlamentet e Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë dhe Maqedonisë. Sipas tij, gjenocidi ndaj shqiptarëve në Tivar u ndihmua dhe u bashkëorganizua nga klika barbare e Tiranës. Berisha nënvizoi faktin se nuk duhet harruar se ekzistojnë të gjitha dokumentet, të cilat faktojnë se trupat e rekrutëve shqiptarë të Kosovës kaluan kufirin në Morinë dhe përshkuan territorin e këtij vendi më këmbë deri te Hani i Hotit. “Dhe këta kriminelë shqiptarë, që morën pjesë në këtë masakër, duhet të marrin ndëshkimin e tyre ekzemplar, si një kusht i domosdoshëm që shpirtrat e tyre të prehen të qetë. Nuk u transportuan në territorin e Bosnjës, nuk u transportuan as nëpër territor tjetër, por vetëm nëpër territor shqiptar. Ekzistojnë të gjitha dokumentet, dhe diktatori Ramiz Alia vetëm pak ditë më parë do të deklaronte se ‘t’i gjejnë kosovarët se kush i bëri’. Nuk mund t’i lash duart xhelat kaq lehtë ndaj këtij akti”, tha Berisha. Duke folur para deputetëve demokratë, ai deklaroi se tradhtarët shqiptarë duhet të bëhen publikë. Berisha tha se Ramiz Alia ka pasur funksione të rëndësishme në atë periudhë, si komisar i divizioneve që shkuan në Kosovë. “Në qoftë se ata nuk duan të thonë të vërtetën mbi këtë gjenocid, e vërteta do t’u nxirret atyre dhe do të mbajnë të gjithë përgjegjësi për ata që bënë një prej krimeve më të rënda në historinë e këtij kombi. Është gjak shqiptari i themi këtij diktatori. Do ta dijë çdo shqiptar: kanë kaluar nga Morina në Hanin e Hotit, në territor të Shqipërisë, dhe nuk mund t’i fshehësh duart e krimit, siç kërkon t’i fshehësh. Ti dhe kushdo tjetër të jetë i implikuar në këtë masakër”, tha ai. Kryeministri pranoi se i takon edhe Parlamentit të Kosovës të hetojë, por kjo është çështje e tyre, dhe “në qoftë se ka edhe atje Kainë, edhe ata duhet të marrin ndëshkimin që meritojnë”. Për Kryeministrin, është në nderin e Parlamenti të japë një kontribut kombëtar në zbardhjen e së vërtetës.

Reagimi i Ramiz Alisë ndaj akuzave

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist në Shqipëri, ka reaguar 8 ditë më parë, menjëherë, në lidhje me akuzat që bëri Kryeministri Sali Berisha mbi përfshirjen e tij, sipas kreut të Qeverisë, në masakrat e Tivarit. Gjatë promovimit të librit “Jeta ime”, Alia deklaroi se ngjarja u quajt krim kundër shqiptarëve dhe vetëm ata kosovarë ose serbë, që e kryen, mund të flasin rreth saj. Duke iu përgjigjur akuzave të Kryeministrit Berisha se ai ka pasur një rol të dyshimtë gjenocidi në këtë ngjarje, Alia theksoi: “Kam një të keqe të madhe. Unë nuk e dëgjoj Berishën”. Ky ka qenë reagimi që ish-diktatori komunist bëri ndaj akuzave të kreut të qeverisë për përfshirjen e tij në masakrën e Tivarit, ku gjetën vdekjen mbi 4 mijë shqiptarë të Kosovës. Ai ka shtuar se gjatë asaj periudhe ai nuk gjendej në Tivar të Malit të Zi, por me formacionet partizane në Bosnje. Përmes këtij reagimi ai ka treguar një indiferencë në drejtim të akuzave.

Masakra e tmerrshme e vitit 1945 në Tivar

Mbi 4 mijë shqiptarë u vranë pa shkak nga forcat serbe

Rekrutët shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore u masakruan në afërsi të qytetit të e Tivarit në Malin e Zi nga trupat ushtarake serbe. Numri i të vrarëve në këtë masakër nuk është saktësuar ndonjëherë, por bëhet fjalë për mbi 4000 shqiptarë të masakruar. Në vitin 1945, Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar edhe në Kosovë. Faktet historike tregojnë se për ta bërë gllabërimin më të lehtë të Kosovës, njësitë vendore partizane të shqiptarëve të Kosovës, çetat, batalionet e brigadat, ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm edhe dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar ata në frontet e luftës në Dalmaci, në Srem të Vojvodinës e kudo nëpër Jugosllavi. Por në vend të fronteve të luftës, në muajt mars-prill 1945, shovinistët serbë, maqedonas e malazezë kryen vrasje monstruoze e masakra të papara mbi ushtarët-rekrutët duarthatë shqiptarë. Të mobilizuarit ishin ndarë në dy pjesë; një pjesë u dërgua në frontin e Sremit, kurse pjesa tjetër në frontin e Adriatikut (mbi 22 mijë ushtarë). Pjesa e dytë e të mobilizuarve apo e rekrutëve shqiptarë u grumbulluan fillimisht në Prizren, ku qëndruan disa ditë, ku u çarmatosën dhe ku u ndanë në eshalonë e njësi tjera ushtarake. Pastaj vazhduan rrugën drejt Tivarit, nëpër Kukës, Fushë-Arrës, Pukë e Shkodër, por me komandën serbe të Divizionit 46-të të Serbisë. Me të arritur në Tivar, më 1 prill 1945, pasoi një masakrim masiv i ushtarëve-rekrutë shqiptarë. Atje janë vrarë, pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi 4 mijë ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të ngufatjes me gaz helmues, në Raguzë (Dubrovnik) janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë.

Heqja e imunitetit

Berisha: Opozita të kontribuojë për vendimin

Mazhoranca kërkon konsensusin e opozitës për të mundësuar heqjen e imunitetit për ligjvënësit. Kryeministri Sali Berisha ka thënë dje se në Shqipëri nuk duhet të ketë njerëz të mbrojtur me ligj në raport me korrupsionin. Sipas tij, Partia Socialiste duhet të mbështesë propozimin e hedhur në tavolinë prej vitesh për zhveshjen e deputetëve nga imuniteti. “Ne, të gjithë së bashku me Partinë Socialiste, bëmë ligjin për heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe e bëmë shumë mirë. Shpresoj që në vendimin e ardhshëm të Parlamentit të shënojmë një hap të ardhshëm të ri në luftën kundër korrupsionit”, theksoi ai. Berisha kujtoi se PD-ja, kur ishte në opozitë, paraqiti në Parlament ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve, por që u hodh poshtë nga PS-ja, që ishte në pushtet. Të njëjtin propozim, sipas Kryeministrit, PD-ja e bëri edhe në 2005-ën, pasi mori pushtetin, por edhe atëherë u refuzua në mënyrë absurde. Berisha tha se ligji është shumë i mirë dhe është shqyrtuar nga ekspertët e Komisionit të Venecias, i cili në parim pranon heqjen e imuniteteve për veprën e korrupsionit. “Komisioni thekson se meqenëse kemi të bëjmë me institucione siç është Parlamenti, siç është drejtësia, atëherë këto duhet të jenë me tre të pestat, dhe unë dua të shpresoj se PS-ja është e gatshme dhe ne ofrojmë si alternativë cilën dëshirë të ketë ajo”, u shpreh ai. Për kreun e Qeverisë, opozita po të dojë, mund të zbatojë udhëzimin e Komisionit të Venecias dhe të bëjë ndryshimet ligjore në përputhje me ato ndryshime. Kryeministri theksoi se lufta kundër korrupsionit, është më e vështira e të gjithë betejave të tjera, sepse ajo është betejë me babëzinë e lindur të njeriut, të gjithsecilit. Por për të thelluar luftën kundër korrupsionit është e nevojshme ndërmarrja e akteve të rëndësishme politike, siç është heqja e imunitetit.

Kërkesa e PD

Pas nisjes së Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 2005-ës, PD-ja kërkoi që të ndërhyhej në ligj dhe heqjen e imunitetit të deputetëve, duke u zhveshur nga mburoja ligjore dhe duke i bërë më të hapur ndaj çdo hetimi të mundshëm për korrupsion. Por opozita e majtë refuzoi një gjë të tillë. Pas shumë debateve, çështja iu dërgua Komisionit të Venecias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›