“Rugova, arkitekti i Pavarësisë së Kosovës - vizionari që u dha nder dhe dinjitet shqiptarëve”

Kryeministri Sali Berisha
“Shprehim sot nderimin tonë ndaj burrit vizionar që iu dha nder dhe dinjitet shqiptarëve pas Ismail Qemalit në këto shekujt e fundit, presidentit Ibrahim Rrugova”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha, duke e cilësuar ish Presidentin Rugova si arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Gjatë ceremonisë së organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Komuna e Prishtinës, për emërtimin e një rruge në Kryeqytet me emrin e ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, Berisha tha se nderimi që po i bëhet atij sot nuk mund të shprehë gjithë mirënjohjen që ai meriton. “Jemi mbledhur sot, këtu, për të shprehur nderimin tonë ndaj burrit vizionar që u dha nder shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër, pas Ismail Qemalit, këto shekujt e fundit, Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova është themeluesi i Partisë së Parë Antikomunistë në Ballkanin e diktaturave komuniste, është frymëzuesi, organizatori i lëvizjes paqësore më të pashembullt në historisë e Shqipërisë e shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera europiane, është arkitekti i Kosovës së pavarur. Ndaj, sot, çfarëdo nderimi që ne të shprehim ndaj tij, me asgjë nuk mund të arrijmë mirënjohjen që ai meriton. Pas luftërave, një seri kombesh njohën ndarje dhe copëtime, por historia fakton, vetëm ne shqiptarët ia dolëm dhe ia dolëm para së gjithash e mbi të gjitha, se ne nxorëm burra vizionarë si Ibrahim Rugova, nxorëm komandantë legjendarë, të cilët vendosën kulme në rezistencën, heroizmin dhe përpjekjet për liri të kombit të tyre, si Adem Jashari”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se historia ka faktuar se në të gjitha luftërat për copëtim, shqiptarët, ia kanë dalë mbanë të rezistojnë pasi nxorën në ballë burrat vizionarë si Rugova dhe komandantët legjendarë si Adem Jashari. “Ne nderojmë sot presidentin Ibrahim Rrugova, këtë misionar të pashembullt të kombit tonë në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Rrugova me veprën e tij, me mendjen e tij të ndritur, me përkushtimin e tij të plotë, me guximin e jashtëzakonshëm bëri të mundur që shqiptarët të vijnë në këtë 100-vjetor krenar, të lirë dhe të sigurt në të ardhmen që meritojnë. Ndaj dhe njëherë do të përulem me nderim të madh përpara veprës së këtij burri, këtij misionari të pashoq në historinë tonë kombëtare, arkitektit të Kosovës së pavarur. Faleminderit presidenti Rrugova për gjithçka që bëtë dhe çdo shqiptar kudo që ndodhet përkulet me nderim para jush”, tha më tej, kryeministri Berisha.