E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës, ëndërr dhe realitet

18-02-2012 / Gazeta 55

Çelet ambasada e Kosovës në Tiranë, të pranishëm në ceremoni kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu

Me hapjen e ambasadës në Tiranë u lexua më drejt e më fort realiteti i ri ballkanik, ai i shtetit të pavarur të Kosovës. Në ceremoninë e mbrëmshme, u lexua qartë realizimi i ëndrrës së shqiptarëve të të gjitha trojeve, nën patronazhin e pakushtëzuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Çelja e ambasadës së Kosovës në Tiranë ka mbledhur në një ceremoni festive personalitetet më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Inaugurimi i ambasadës u bë pikërisht dje, në 4 vjetorin e shpalljes së shtetit të pavarur, të Kosovës, ndërsa u vlerësua si realiteti i ri ballkanik i shtetit të Kosovës, në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri Sali Berisha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gani Veselaj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ministra të qeverive të të dy shteteve dhe personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kryeministri Berisha dhe kryeministri Thaçi prenë shiritin e inaugurimit të selisë së ambasadës dhe mbajtën fjalën e rastit. Dy kryeministrat e cilësuan hapjen e ambasadës si një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Hapja e selisë së ambasadës së Kosovës në Shqipëri është një moment i rëndësishëm historik për të dy vendet dhe me një mision të dyfishtë, të kapërcimit me vendosmëri të të gjitha pasojave të krijuara gjatë një periudhe të gjatë ndaj bllokimeve të pamerituara. Jam i bindur se kjo ambasadë do të ruajë një rol në të ardhmen e përbashkët që meriton kombi shqiptar dhe dy vendet tona”, u shpreh kryeministri Berisha.
Berisha e cilësoi këtë ditë të madhe si nderim dhe përkulje përpara të gjithë atyre që luftuan për Kosovën e lirë, ndërsa shprehu mirënjohjen për vendet e BE-së dhe SHBA-në, që u angazhuan për Kosovën e pavarur.
“Sot për çdo shqiptar është një ditë e madhe, në të cilën ne shqiptarët përkulemi me nderimin më të madh ndaj qindra burrave dhe grave që një shekull flijuan jetën, rininë e tyre për liri e dinjitet kombëtar për Kosovën e lirë. Sot është një ditë mirënjohje e madhe ndaj miqve tanë në SHBA dhe Europë të cilët në një moment kritik për shqiptarët e Kosovës angazhuan në Aleancën e Atlantikut fuqinë e tyre ajrore për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve për t’i mbrojtur ata nga operacionet me makabre të kohës”, u shpreh Berisha.
Kreu i ekzekutivit shqiptar e cilësoi 17 shkurtin e 2008-ës, si fundin e një sage të pa përshkruar vuajtjesh, padrejtësish dhe sakrificash të shqiptarëve të Kosovës dhe nisjen e projekteve të reja për integrimin në NATO dhe BE.
“Sot është një ditë krenarie për të gjithë shqiptarët që shënon fundin e një sage të pa përshkruar vuajtjesh, padrejtësish dhe sakrificash të shqiptarëve të Kosovës. 17 shkurti i viti 2008 shënoi fundin e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe ekzistencë dhe fillimin e një epoke që njëlloj si kombet e tjera të vendosin të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Kjo ditë bëri të mundur që shqiptarët të nisin projektet e tyre të reja për integrimin në NATO e BE dhe për bashkëpunim e miqësi me vendet e tjera të rajonit”, u shpreh Berisha.
Kryeministri Berisha përshëndeti qeverinë e Kosovës që në një hark të shkurtër kohor ka realizuar arritje shume të mëdha në ndërtimin e vlerave të demokracisë në ndërtimin e Kosovës, ku dy vendet tona janë shndërruar në faktor stabiliteti në rajon dhe për hapjen e një kapitulli të ri mes Kosovës dhe Serbisë mes shqiptarëve dhe serbëve në Gadishullin e Ballkanit. Kreu i qeverisë shqiptare shprehu kënaqësinë që në hapjen e ambasadës ishte i pranishëm edhe homologu i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Prania e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit në një ditë të bekuar për të gjithë shqiptarët në ditën e Pavarësisë së Kosovës, bën që çdo shqiptar të ndjejë kënaqësinë e dy pavarësive, tha ai ndërsa uroi të qytetarët e Kosovës për këtë ditë historike. Ju përcjell përshëndetjet më vëllazërore qytetarëve të Kosovës, qeverisë së Kosovës dhe shpreh vendosmërinë që me punë të përbashkët do realizojmë projektet më të mira për të gjithë shqiptarët”, nënvizoi Berisha.
Ndërkaq, kryeministri Thaçi vlerësoi hapjen e ambasadës në Tiranë duke theksuar se “ambasadorët në të dy shtet do të kenë rol të dyfishtë”.
“Jemi një komb dhe dy shtete dhe si të tillë do të vazhdojmë rrugën drejt BE-së”, u shpreh Thaçi.
Sipas Thaçit, 4 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës shtet i pavarur është ngjarja më kulmore që sot feston çdo individ dhe çdo familje, sot ka festë në çdo vend të BE-së dhe SHBA-së. “Pavarësia jonë e fuqizoi kombin tonë dhe demokratizoi rajonin. Pavarësia ka patur dhe ka kuptimin e fuqizimit të vlerave evropiane. Ne po ndërtojmë një shtet si atdhe pa dallim etnie”, shtoi Thaçi.
Kryeministri kosovar falënderoi të gjitha shtet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke nënvizuar se sot në 4 vjetorin e pavarësisë ajo është njohur edhe nga Uganda duke e çuar në 88 numrin e njohjeve, ndërsa tha se 17 shkurti ishte jetësim i idealeve të vitit 1912 dhe ky 4 vjetor përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Gjithashtu Thaçi deklaroi se Kosovën e presin sfida dhe ballafaqime por u shpreh optimist në fitoren ndaj këtyre vështirësive. “Tani shteti i Kosovës po ecën me hapa të sigurt, duke punuar do të jetojmë nën një hapësirë pa kufi evropiane, pasi e ardhmja e Kosovës është evropiane”, nënvizoi Thaçi duke theksuar edhe rolin e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës.
Në fund kryeministri kosovar tha se qeveria e Kosovës është në fazën e përcaktimit të truallit për ndërtimin e ambasadës shqiptare në qendër të Prishtinës.
Në ceremoninë për hapjen e ambasadës kosovare merrnin pjesë personalitete dhe figura të shquara të të dy vendeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›