E Diel, 1 Nëntor 2026

Rugova dënon sulmin ndaj familjes Gjuriq

Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova ka dënuar sulmin në shtëpinë e familjes së Zharko Gjuriq dhe bashkëshortes së tij Drita Kapo në Istog.

“Shpërthimi në orët e hershme të mëngjesit, në shtëpinë e qytetarit serb Zharko Gjuriq dhe bashkëshortes së tij të nacionalitetit shqiptar Drita Kapo në Istog, sikur edhe çdo akt tjetër i kësaj natyre, për institucionet e komunës së Istogut dhe qytetarët e saj, është i dënueshëm dhe në mënyrë absolute i papranueshëm. Është ky akt i ulët i shprehjes së dhunës kundër pasurisë, njerëzve dhe sigurisë në komunë dhe më gjerë”, është shprehur kryetari i Komunës Haki Rugova në reagimin e tij ndaj shpërthimit të ndodhur në lagjen e banuar nga qytetarët serb në Istog i cili ka vizituar edhe vendin e ngjarjes.

“Sot, në kohën kur në Komunën e Istogut ka përparime dhe zhvillime të dukshme në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe sigurinë e qytetarëve tanë, këto akte të kryera nga kushdo qoftë, dëmtojnë imazhin e mirë që ka komuna e jonë si dhe cenojnë të drejtat elementare të qytetarëve tanë, prandaj, me këtë rast, ftoj institucionet përgjegjëse për siguri dhe drejtësi, që sa më parë të bëjnë identifikimin e kryerësve të këtyre akteve të dhunshme e të ulëta dhe të njëjtit të sillen para drejtësisë”, thuhet tutje ne reagimin e kryetarit Rugova. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›