Ruhet "Haxhi Qamili", zhduket "Pavarësia"

SPECIALE/ Piktori Nikolet Vasia përgatitet për të kallëzuar në prokurori dhe Interpol zhdukjen e veprave të tij nga Galeria e Durrësit. Nuk u dihet adresa dhe dy veprave të shekujve XVII dhe XVIII, të rralla për nga niveli artistik dhe të denja për çdo muze arti
Tiranë, 10 dhjetor 16:06 NOA - Ruhet rebelimi i Haxhi Qamilit dhe zhduket Pavarësia Kombëtare e 1912-ës. Sa hyje në katin e parë të Bashkësie së Durrësit, në ekspozitën e 28-29 Nëntorit të arteve pamore të ish-Galerisë, në të majtë të shfaqeshin rebelët e Haxhi Qamilit në një kompozim tipik soc-realist. Por ka qenë një befasi e pashpjegueshme për mjaft artdashës durrsakë mungesa e një tabloje emblematike për ditën e Pavarësisë, ku paraqiten Isa Boletini në gjunjë teksa puthte flamurin kombëtar dhe prapa tij Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, si dhe mjaft atdhetarë nga trevat shqiptare, madje dhe nga zonat e Haxhi Qamilit.
Trafiku me veprat e artit ka prekur Shqipërinë. Madje, blerësit paguajnë shuma të mëdha për vepra me përmbajtje atdhetare. Janë kryesisht pasanikë të diasporës shqiptare, nga Amerika në Evropë.
Në korridoret e Bashkisë
Me rastin e festave të 28 dhe 29 nëntorit Bashkia e Durrësit ka zhvilluar një eveniment kulturor tepër të veçantë. Mjediset e brendshme të Bashkisë janë shndërruar në një galeri arti ku janë ekspozuar vepra arti në pikturë dhe skulpturë me temë nga përpjekjet e popullit tonë për pavarësi si dhe me tematikë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për katër ditë me radhë qytetarët durrsakë vizituan këtë galeri të veçantë arti në mjediset e Bashkisë.
Në mjediset e brendshme të Bashkisë u ekspozuan 120 piktura në gjini të ndryshme, në vaj, letër, linoleum etj si dhe 25 skulptura të punuara në allçi, dru, alabastër, gur etj. Të gjitha këto piktura e skulptura janë krijuar nga 52 artistë, të gjithë nga Durrësi.
Por mungonte një nga pasuritë më të çmuara të Galerisë, kompozimi “Rreth Flamurit të Përbashkuar” i Nikolet Vasisë. Mungonin dhe shumë vepra të autorëve të tjerë.
Mesazhi
Kompozimi në vaj, me përmasat 170 x 140 cm, i titulluar “Rreth Flamurit të Përbashkuar” i piktorit të shquar Nikolet Vasia (lindur më 1947 në Durrës në një familje shkodrane, derë e madhe), është blerë nga Galeria e Arteve Figurative të Durrësit, në vitin 1978, për 1700 lekë të rinj. Kompozimi bënte pjesë në koleksionin e veprave të ekspozitës kombëtare, të hapur me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Galerinë Kombëtare në Tiranë.
Fakti që vepra e një 31-vjeçari nga Durrësi la përshtypje të mirë dhe u vlerësua lart dhe nga një patriark si Abdurrahim Buza, shkaktoi xhelozinë e drejtuesve të Galerisë Kombëtare dhe ia lanë ta blinte ajo e Durrësit.
Vepra u riprodhua me ngjyra në revista, kartolina, bardhezi në shtyp, si ilustrim në shkrimet përkujtimore dhe historike për të zëvendësuar, madje, dhe foton zyrtare të 28 Nëntorit të Vlorës.
Jo se kompozimi ishte vepër natyraliste apo fotografike, por konkurronte dokumentin historik për arsye të nivelit të lartë artistik, mesazhit të rëndësishëm, që përcjell për atdhedashurinë dhe ndihmesën mbarëkombëtare në shpalljen e Pavarësisë. Autori ruan vetëm riprodhimet me ngjyra të pjellës së tij në një kartolinë dhe në një revistë.
Merret me mend se ç’nivel kishte industria tipografike e kohës së komunizmit. Megjithatë riprodhimi, edhe pse i zbehtë ngjall emocione.
As në inventar
Pasi qëndroi në Galerinë e Durrësit për rreth 20 vjet, piktura rezulton të jetë e zhdukur, të paktën, pas vitit 1998, thotë për “Lajmi-n” autori i revoltuar. Vasia u referohet thënieve të ish-drejtuesve se, në 18 vite tranzicion, në Galerinë e Durrësit nuk ka ndodhur ndonjë grabitje ne forcë.
Por, çuditërisht, vepra nuk figuroka, që nga viti 1990 në inventarët e muzeut dhe të Qendrës Kombëtare të vitit 2005. Inventarët, thotë Vasia dhe piktori tjetër, Sulejman Turku, që i janë “avulluar” të gjitha punimet në galeri, janë korrigjuar pas vitit 1998.
Drejtori i sapoemëruar i muzeut historik të Durrësit, Edmond Agolli, i tha së përjavshmes “Lajmi” se nuk ka asnjë dijeni për kompozimin e Vasisë “Rreth Flamurit të Përbashkuar”, por edhe për 10 vepra të tjera të Vasisë, që dikur ishin pronë e galerisë së Durrësit.
Vasia thotë se ka qenë një praktikë në regjimin komunist që galeria ka të bënte transferim kapital për institucione dhe ndërmarrje të mëdha shtetërore të veprave të caktuara, por gjithçka shoqërohej me procesverbal. Në arkivin e galerisë nuk ekzistojnë procesverbale, por diku ato duhet të ruhen.
Kallëzim në Interpol
Ndërkaq, për hir të etikës, Nikolet Vasia nuk dëshiron të përmendë emra, për të cilët dyshon se janë përvetësues apo bashkëpjesëmarrës në shpërdorimin e fondit të Galerisë së Durrësit. Por Vasia mendon që, së bashku me të tjerë piktorë, të cilëve u mungojnë veprat në fondet në Galerinë publike, do të bëjnë një kallëzim në prokurori dhe në Interpol. Vasia thotë se në një dokumentar televiziv të Alfons Gurashit nga Nju Jorku, i ka zënë syri, në planin e dytë, tablonë “Rreth Flamurit të Përbashkuar” i vendosur në muret e një restoranti.
Arbëreshët
Tersllëku e ndjek Nikolet Vasinë dhe me një vepër tjetër, ish-pronë e pallatit “Aleksandër Moisiu”. Kompozimi “Tek Arbëreshët”, një tablo me përmasa 220 x 180 cm, e ekspozuar në muret pranë zyrës së drejtorisë, që nga viti 1996, nuk ekziston më.
“Kam frikë se u është shitur disa sindika