E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Gati skema e subvencionimeve për fermerët

Mbështetja e bujqësisë me fonde buxhetore dhe me grande nga Bashkimi Evropian do të mundësojë që prodhimet shqiptare të jenë konkurruese. Ministri i Bujqësisë Genc Ruli tha në kongresin e Shoqatave të bujqësisë, KASH se në pak vite subvencionet do të dyfishohen.

"Do të subvencionojmë bujqësinë dhe agropërpunimin në masën e 15 milionë dollarëve në vit duke rritur ndjeshëm këtë ndihmë nga viti në vit. Në fillim të vitit 2012 fillon zbatimi i programit, që do të thotë rreth 15-20 milionë euro në vit do të jenë grande që merren nga KE për investime në agropërpunim", tha Genc Ruli, ministër i Bujqësisë. Burime nga Ministria e Bujqësisë Krahas mbështetjes financiare edhe përafrimi i legjislacionit është një mundësi tjetër që produktet shqiptare të mund të shiten në tregjet e rajonit e më gjerë. "Aktualisht ne po ndërhyjmë intensivisht, me gjithë legjislacionin tonë, për ta përafruar atë me kujdes me legjislacionin e BE. Të pakësojmë e të eliminojmë përditë e më shumë pengesat që ndesh fermeri dhe biznesi ynë dhe nga ana tjetër ti mundësojmë që fermeri të ketë kohën e duhur për të arritur standardet e BE", vijoi Ruli. Bujqësia shqiptare ka një shkallë të ulët konkurueshmërie dhe prodhimtari të ulët për arsye të shumta. Raporti i produkteve të importit me ata të vendit në treg është katër me një. Fermerët që do të marrin kredi jo më të vogla se 10 milionë lekë për të zhvilluar prodhimin bujqësor, interesat e kredisë do ti shlyeje qeveria. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mësohet se do të financojë për herë të parë këtë vit, interesat e kredive që do të marrin fermerët për ruajtjen, përpunimin dhe grumbullimin e produkteve bujqësore. Nëpërmjet subvencionimit të normës së interesit për kreditë, që përdoren për veprimtaritë bujqësore, me një buxhet prej 60 milionë lekësh, parashikohet të financohen interesat e kredive jo më të vogla se 10 milionë lekë dhe interesi që subvencionohet për një kredi nuk mund të jetë më shumë se 2 milionë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›